Arrestohet Nuhi Uka

Sipas EULEX’it, Uka është arrestuar për shkak të dyshimeve për frikësim të një dëshmitari gjatë procedurave penale dhe për pengim të provuarit.

Lajme

08/11/2013 08:49

Ish Kryetari i Gjykatës Komunale të Prishtinës, Nuhi Uka është arrestuar dje gjatë një operacioni të përbashkët policor të Policisë së Kosovës dhe EULEX’it.

Uka, i cili tani ushtron punën e avokatit, dyshohet se ka ndikuar në dëshmitarët lidhur me një rast trafikimi me qenie njerëzore.

EULEX ka konfirmuar arrestimin.

Në një komunikatë të lëshuar nga ky mision thuhet se dje, në një operacion të përbashkët, policia vendase dhe ajo ndërkombëtare i kanë arrestuar dy persona të dyshuar për frikësim të një dëshmitari gjatë procedurave penale dhe për pengim të provuarit, duke bërë shkeljen e nenit 395 dhe 394, paragrafi 1, i Kodit Penal të Kosovës.

“Njëri prej të dyshuarve është ish-kryetar i Gjykatës Komunale në Prishtinë”.

“Prokurori ka parashtruar kërkesë në Gjykatën Themelore në Prizren për caktimin e masës së paraburgimit për dy personat e arrestuar”, thuhet në komunikatë.

Seanca dëgjimore lidhur me kërkesën për paraburgim do të mbahet sot paradite.