Arrestohet një person në Merdare, i gjenden 18 kilogramë marihuanë (Foto)
Policia e Kosovës, sot në orët e hershme të mëngjesit ka arrestuar në pikë kalimin kufitar në Merdare një person të dyshuar për trafikim të narkotikëve.

Lajme
Sipas Policisë, këtij operacioni policor i ka paraprirë një hetim me kohëzgjatje prej katër muajsh, i cili ka rezultuar me ndalimin e një veture të dyshuar BMW X5 ngjyrë e zezë, nën dyshimin e bazuar për trafikim të substancës narkotike.
Me qëllim të kontrollit vetura e ndaluar është dërguar për kontroll të detajuar në hapësirat policore, të cilat mundësojnë kontroll të detajuar.
Gjate kontrollit të detajuar, në rezervuarin e naftës të fshehur në mënyrë profesionale, janë gjetur njëzet e dy paketime të mbushura me substancë narkotike të llojit marihuanë me peshë të përgjithshme prej 18 kilogramë e 711 gramë.
Me urdhër të Prokurorit kompetent është bastisur edhe shtëpia e të dyshuarit me ç ’rast janë gjetur edhe 1.5 gram marihuanë. Personi i dyshuar tanimë i arrestuar është: S. I. i lindur më 1981.
Të gjitha veprimet janë kryer nën mbikëqyrjen e Prokurorit Publik dhe personit të dyshuar i është caktuar masa e ndalimit policor prej 48 orësh.