Arrestohet një Inspektor i ATK’së

Inspektori i arrestuar kishte shkuar në një kafiteri në Graçanicë dhe ka pranuar si ryshfet shumën e parave në vlerë prej 1.000 eurove nga pronari i lokalit, në mënyrë që si shpërblim t’ia fshihte borxhin që ky i fundit kishte ndaj ATK’së.

Lajme

14/11/2013 15:20

Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit ka arrestuar një personi të dyshuar nën dyshimin e bazuar se i njëjti ka kryer veprën penale ‘marrje e ryshfetit’.

“Sot me 14 nëntor 2013 hetuesit policorë, me urdhër të prokurorit të shtetit, në bazë të informatave të siguruara përmes rrugëve operative dhe në bashkëpunim me njësinë e standardeve profesionale të ATK’së, duke i zbatuar masat e fshehta të hetimit dhe vëzhgimit është bërë i mundshëm të bëhet arrestimi i të dyshuarit  në flagrance”, thuhet në njoftimin e Policisë.

“Personi i dyshuar tashmë i arrestuar A. K. dhe deri në momentin e arrestimit ishte inspektor i ATK’së për mbledhjen e tatimeve në rajonin e Prishtinës”.

“I dyshuari ka shkuar në një kafiteri në Graçanicë dhe ka pranuar si ryshfet shumën e parave në vlerë prej 1.000 eurove nga pronari i lokalit në mënyrë që si shpërblim t’ia fshihte borxhin që ky i fundit kishte ndaj ATK’së, përmes një firme tjetër”.

“Personit të dyshuar me vendim të prokurorit të shtetit nga Prokuroria Themelore, Departamenti i Krimeve të Rënda në Prishtinë, i caktohet masa e ndalimit prej 48 orësh për të vazhduar me procedura të mëtutjeshme”.