Arrestohet në Gjilan i dyshuari për falsifikim dokumentesh, shtetasi serb mashtronte me prona të paluajtshme

Policia e Kosovës ka njoftuar për arrestimin e një personi të dyshuar për veprën penale “Falsifikim i dokumenteve”, pas një hetimi të gjatë dhe të organizuar rreth një vit. I arrestuari është D.G. (1983), shtetas i Serbisë, i cili sipas Policisë, dyshohet se përmes dokumentacionit të falsifikuar ka mashtruar disa persona duke u dhënë autorizime…

Lajme

23/04/2025 11:39

Policia e Kosovës ka njoftuar për arrestimin e një personi të dyshuar për veprën penale “Falsifikim i dokumenteve”, pas një hetimi të gjatë dhe të organizuar rreth një vit.

I arrestuari është D.G. (1983), shtetas i Serbisë, i cili sipas Policisë, dyshohet se përmes dokumentacionit të falsifikuar ka mashtruar disa persona duke u dhënë autorizime të rreme për prona të paluajtshme që ishin në pronësi të palëve të treta. Si rezultat, viktimat kanë pësuar dëme të konsiderueshme materiale.

Hetimi është kryer nga Njësiti i Hetimeve Rajonale në Gjilan, me autorizim të Prokurorit të Shtetit, ndërsa gjatë procedurës janë gjetur dëshmi të forta që e ndërlidhin të dyshuarin me aktivitetin kriminal.

“Gjatë hetimeve janë konfiskuar të gjitha materialet relevante, të cilat do të përdoren si prova materiale në procedurat gjyqësore”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Pas arrestimit, D.G., është intervistuar në prani të avokatit mbrojtës dhe me vendim të Prokurorit, është ndaluar për 48 orë. Hetimet janë në vazhdim në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë e Shtetit.