Arrestohet i dyshuari që plagosi vajzën në Drenas

I dyshuari për plagosjen e një vajze nga Qikatova e Re, e komunës së Gllogocit (Drenasit), është arrestuar të enjten pasdite, ka bërë të ditur Policia e Kosovës.

Lajme

07/11/2014 13:45

Policia e Kosovës ka arritur që të arrestojë të dyshuarin, i cili të martën në fshatin Qikatovë e Re të komunës  së Gllogocit (Drenasit), kishte plagosur me armë zjarri një femër.

Lidhur me këtë rast lajmi.net dje kishte raportuar se i dyshuari nga fshati Sankofc, i të njëjtës komunë, kishte shtirë në drejtim të vajzës pasi ajo kishte refuzuar që të jetë në lidhje dashurie me të.

Ndërkaq, arrestimin e të dyshuarit për këtë rast e ka bërë të ditur për lajmi.net Agron Borovci zëdhënës i Policisë së Kosovës, për rajonin e Prishtinës.

Ai po ashtu ka thënë se të dyshuarit i është konfiskuar edhe një armë zjarri të cilën e kanë gjetur në veturën tij.

“Rasti në Qikatovë është cilësuar si vrasje e rëndë në tentativë, pas veprimeve policore me datën 06.11.2014, Policia e Kosovës në ora 17 ka shqiptuar masën e arrestit policor, ndaj të dyshuarit E. K. 1986, ndaj të cilit është iniciuar procedurë hetimore për rastin e cekur”.

“I njëjti është dërguar në qendrën e mbajtjes në Prishtinë. Në veturën e të dyshuarit në lagjen Mati 1, policia ka gjetur dhe i ka konfiskuar edhe armën e zjarrit ‘Ekol Special’, të kalibrit 9 mm”, ka thënë Borovci. (lajmi.net)