Arrestohet i dyshuari për vrasjen e Charlie Kirkut

Një i ri nga Utah, i dyshuar për vrasjen e aktivistit konservator Charlie Kirk në një universitet në qytetin Orem, është arrestuar dhe dërguar në mbajtje të premten, tha guvernatori i Utahs, Spencer Cox. “E kemi kapur”, u shpreh Cox për gazetarë. Vrasësi i Kirkut u kishte ikur policisë dhe agjentët federalë për më shumë…

Bota

12/09/2025 16:43

Një i ri nga Utah, i dyshuar për vrasjen e aktivistit konservator Charlie Kirk në një universitet në qytetin Orem, është arrestuar dhe dërguar në mbajtje të premten, tha guvernatori i Utahs, Spencer Cox.

“E kemi kapur”, u shpreh Cox për gazetarë.

Vrasësi i Kirkut u kishte ikur policisë dhe agjentët federalë për më shumë se 33 orë pasi të mërkurën mbrëma e qëlloi me snajper Kirkun, aleatin e ngushtë të Trumpit, gjatë një paraqitjeje në Universitetin Valley në Utah.

I dyshuari, i identifikuar si Tyler Robinson, e kishte pranuar para një miku të familjes, ose “kishte nënkuptuar se e kishte kryer vrasjen”, dhe, personi në fjalë, më pas e kishte kontaktuar zyrën e sherifit të qarkut Uashington të enjten.

Një anëtar i familjes, i intervistuar nga hetuesit, tha se Robinsoni i ishte futur politikës kohët e fundit dhe fliste në mënyrë përçmuese për Kirkun, tha Cox.

Cox shtoi se dëshiron ta falënderojë familjen e Robinsonit, e cila “e ka bërë gjënë e duhur” duke e dorëzuar atë para autoriteteve të drejtësisë.

Më herët, hetuesit amerikanë thanë se kishin gjetur snajperin që besohet të jetë përdorur për ta vrarë Kirkun dhe publikuan fotografi dhe video të një personi me interes.

FBI-ja kishte shpërndarë fotografi me cilësi të ulët, të marra nga kamerat e sigurisë, ku shihej një person i veshur me bluzë të zezë, syze të zeza dhe kapele të errët bejsbolli.

Kirk, autor, drejtues podkasti dhe aleat i afërt i presidentit amerikan Donald Trump, ndihmoi në forcimin e mbështetjes për Partinë Republikane mes votuesve të rinj.

Kirk ishte bashkëthemelues dhe president i grupit studentor konservator, Turning Point USA, dhe mori pjesë në Universitetin Valley në Utah të mërkurën si pjesë e një turi të planifikuar me 15 aktivitete, të quajtur “American Comeback Tour” në kampuse universitare amerikane.

Vrasja e tij shkaktoi zemërim dhe dënime të dhunës politike nga demokratët, republikanët dhe qeveritë e huaja./Radio Evropa e Lirë/