Arrestohet burri që dyshohet se sulmoi një 11-vjeçar në oborrin e shkollës në Deçan, Prokuroria jep detaje
Një incident shqetësues ka ndodhur sot në Deçan, ku një burrë është arrestuar pasi dyshohet se ka sulmuar një nxënës 11-vjeçar në oborrin e shkollës. Rastin për lajmi.net, e ka konfirmuar zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikçi, i cili deklaroi se i dyshuari është prind i njërit prej nxënësve. Ngjarja ndodhi të mërkurën,…
Lajme
Një incident shqetësues ka ndodhur sot në Deçan, ku një burrë është arrestuar pasi dyshohet se ka sulmuar një nxënës 11-vjeçar në oborrin e shkollës. Rastin për lajmi.net, e ka konfirmuar zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikçi, i cili deklaroi se i dyshuari është prind i njërit prej nxënësve.
Ngjarja ndodhi të mërkurën, kur i dyshuari dyshohet se ka ushtruar dhunë fizike ndaj fëmijës, ndërsa mësimdhënësit e shkollës ndërhynë për të parandaluar përshkallëzimin e situatës.
“Një prind dyshohet se ka sulmuar fizikisht një nxënës në oborrin e shkollës, ku më pas kanë intervenuar mësimdhënësit për të ndaluar ngjarjen. Policia e Kosovës është njoftuar menjëherë dhe ka arrestuar të dyshuarin, ndërsa i mituri ka pranuar trajtim mjekësor”, tha Nikçi për lajmi.net.
I dyshuari është ndaluar për 48 orë, ndërsa ndaj tij është iniciuar rast për veprën penale “Lëndim i lehtë trupor”. Autoritetet e hetimeve po vazhdojnë punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të incidentit.
Lidhur me rastin janë zbuluar detaje të tjera që hedhin dritë mbi dinamikën e ngjarjes. Sipas informacioneve nga hetimet, i mituri është përballur fillimisht me të dyshuarin gjatë rrugës për në shkollë, ku i dyshuari dyshohet se e ka ndaluar me veturë dhe e ka goditur disa herë me shuplaka dhe grushta, për ta futur më pas në hyrje të shkollës. Në këtë moment ndërhyri arsimtari i matematikës, duke parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm të dhunës.
Derisa sipas Prokurorisë, incidenti mund të ketë lidhje me një konflikt të mëparshëm mes fëmijëve, ndërsa familjarët kanë raportuar rastin menjëherë pas sulmit.
Viktima ka pranuar trajtim mjekësor dhe gjendja e tij shëndetësore është e stabilizuar. Hetimet vazhdojnë për të siguruar të gjitha provat dhe për të garantuar ndjekjen ligjore të rastit. /Lajmi.net/