Arrestohet, 9 muaj pasi “ju ka kallëzua krejt për Siri”
Ka nëntë muaj qyshkur Liridon Kabashi (27), nga Polaci i Skenderajt, i ka rrëfyer Policisë së Kosovës (PK) për shkuarjen e tij në Siri dhe të gjitha përjetimet e atjeshme.

Lajme
Por ai është arrestuar tek të enjten së bashku me imamin gjilanas, Zekrija Qazimi, të dyshuar për tri vepra penale që lidhen me terrorizëm: rekrutim për terrorizëm, organizimi dhe pjesëmarrja në grup terrorist, nxitja e urrejtjes, e përçarjes ose e mosdurimit kombëtar, racor, fetar apo etnik.
Babai i Kabashit thotë se djali i tij ka nëntë muaj që ia ka rrëfyer Policisë së Kosovës të gjitha për qëndrimin e tij në Siri, dhe prej kthimit ka shkëputur lidhjet me njerëzit që e dërguan atje, shkruan Koha Ditore.
Policia e Kosovës ka bërë të ditur se arrestimi i dy të dyshuarve është i ndërlidhur me rastin e arrestimit të katër personave gjatë muajit qershor 2014 në Kaçanik për veprat e njëjta penale.
Babai i Liridon Kabashit, Nasufi, kishte menduar se i biri u kishte dhënë fund telasheve dhe se ishte rehatuar në punën e re që bënte në një biznes privat.
Ai ishte befasuar kur forca të mëdha policore ia kishin rrethuar shtëpinë e tij mëngjesin e së enjtes.