Arrestohet 15-vjeçarja që rrahu brutalisht vajzën në Fier, dërgohet në një institucion të shëndetit mendor
Pas reagimeve të shumta në rrjetet sociale dhe interesimit të lartë të opinionit publik lidhur me videon e publikuar për një ngjarje të ndodhur më 8 qershor, Drejtoria Vendore e Policisë Fier ka dhënë sqarime mbi veprimet e ndërmarra nga autoritetet për rastin e dhunimit të një 17-vjeçareje. Sipas Policisë, më 8 qershor, e mitura…
Lajme
Pas reagimeve të shumta në rrjetet sociale dhe interesimit të lartë të opinionit publik lidhur me videon e publikuar për një ngjarje të ndodhur më 8 qershor, Drejtoria Vendore e Policisë Fier ka dhënë sqarime mbi veprimet e ndërmarra nga autoritetet për rastin e dhunimit të një 17-vjeçareje.
Sipas Policisë, më 8 qershor, e mitura është paraqitur në Komisariatin e Policisë Fier së bashku me nënën e saj, ku ka denoncuar se ishte dhunuar dhe filmuar në banesën e një 19-vjeçareje, L. L., nga kjo e fundit dhe dy vajza të tjera 15-vjeçare. Pas kallëzimit, sipas njoftimit, strukturat e Policisë Fier kanë nisur menjëherë veprimet procedurale dhe hetimore në bashkëpunim me Prokurorinë, duke mbledhur të dhëna dhe duke marrë në pyetje personat e përfshirë në ngjarje.
Gjatë hetimeve janë shoqëruar në Komisariat 19-vjeçarja L. L. dhe dy 15-vjeçaret, të cilat, sipas Policisë, kanë pranuar se kishin ushtruar dhunë ndaj 17-vjeçares për motive të dobëta.
Në përfundim të veprimeve të para hetimore, më 9 qershor, materialet procedurale iu referuan Prokurorisë për veprën penale “Dëmtime të tjera me dashje”, ndaj tre shtetaseve të përfshira.
Ndërkohë, më 28 qershor, njëra prej 15-vjeçareve është arrestuar nga specialistët për Hetimin e Krimeve, në koordinim me Prokurorinë e Juridiksionit të Përgjithshëm Fier.
Arrestimi erdhi pas kallëzimit të nënës së saj, e cila deklaroi se ishte dhunuar nga vajza e saj dhe kishte pësuar dëmtime fizike.
Pas procedurave ligjore dhe vlerësimit të autoriteteve kompetente, 15-vjeçarja është dërguar për trajtim në një institucion të specializuar të shëndetit mendor në Tiranë.