Arrestimi i Shemsi Bahtirit për drogë, reagimi i çuditshëm i avokatit: Iu caktua paraburgimi veç pse është mik me disa nga VV-ja
Prokuroria Speciale e Kosovës ka zhvilluar një aksion të madh antidrogë të martën. Nga ky aksion, i titulluar “Qielli i Thyer”, 22 persona të dyshuar për drogë përfunduan në pranga dhe u shkatërrua një grup kriminal, transmeton lajmi.net 600 policë ishin të angazhuar në aksionin e sotshëm. Përveç të arrestuarve, nga ky aksion u konfiskuan…

Lajme
Prokuroria Speciale e Kosovës ka zhvilluar një aksion të madh antidrogë të martën.
Nga ky aksion, i titulluar “Qielli i Thyer”, 22 persona të dyshuar për drogë përfunduan në pranga dhe u shkatërrua një grup kriminal, transmeton lajmi.net
600 policë ishin të angazhuar në aksionin e sotshëm. Përveç të arrestuarve, nga ky aksion u konfiskuan narkotikë, 129 vetura, afro 135 mijë para të gatshme, armë, ora dore, fishekë etj.
Shemsi Bahtiri që u arrestua si një nga kryesorët në trafikim të drogës në aksionin e madh policor, është edhe anëtar i Vetëvendosjes dhe i afërt me zyrtarë të lartë të kësaj partie në qendrën e Prishtinës, siç evidentohet në fotografi dhe aktivitete të shumta partiake.
Por, zëdhënësi i Lëvizjes Vetëvendosje, Arlind Manxhuka, e kishte mohuar të ketë ndonjë “funksion” brenda partisë i arrestuari Bahtiri.
Lidhur me këtë dje Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar pas raportimeve se njëri nga të arrestuarit e djeshëm për drogë, Shemsi Bahtiri ishte pjesë e VV-së.
Në lidhje me këtë, VV ka thënë se nuk janë të sigurt nëse është personi i njëjtë, por një person me emrin e njëjtë i cili ishte në databazën e tyre, tani më e kanë larguar nga partia.
Pas këtyre raportimeve, ka reaguar edhe avokati i Shemsi Bahtiri, Fanol Krasniqi, i cili ka thënë se Prokuroria Speciale, në kërkesën për caktimin e paraburgimit, nuk ka paraqitur asnjë provë konkrete që ta lidhë drejt për drejtë Bahtirin me ndonjë aktivitet kriminal, teksa ka thënë se përshkrimi i kërkesës së Prokurorisë është i përgjithshëm dhe i paqëndrueshëm në substancë.
“Megjithatë, një pjesë e mediave, me një papërgjegjësi të madhe profesionale, kanë shpërndarë tituj të pavërtetë, duke e paraqitur z. Bahtiri si “boss të një grupi kriminal”. Dua të jem shumë i qartë: ky pretendim nuk ekziston askund në dyshimet-zyrtare të Prokurorisë. Është një shpikje e pastër mediatike që synon linçimin publik dhe njollosjen e imazhit të një qytetari për të cilin nuk ekziston asnjë provë konkrete”, ka shkruar Krasniqi.
Ndryshe Krasniqi lidhur me këtë ka thënë se ky rast është një dështim i rëndë i sistemit të drejtësisë dhe një abuzim mediatik i dëmshëm, pasi siç thotë ai nuk mund të hidhen akuza ndaj dikujt pa prova dhe i cili po si baba i dikujt dhe shok i dikujt.
Postimi i plotë:
Reagim!
Në cilësinë e avokatit mbrojtës të z. Shemsi Bahtiri, ndjej obligim profesional dhe etik të reagoj publikisht ndaj mënyrës së padrejtë dhe të manipuluar se si ky rast po trajtohet në opinionin publik, si nga institucionet, ashtu edhe nga një pjesë e mediave.
Prokuroria Speciale, në kërkesën për caktimin e paraburgimit, nuk ka paraqitur asnjë provë konkrete që ta lidhë drejt për drejtë z. Bahtiri me ndonjë aktivitet kriminal. Për më tepër, përshkrimi i kërkesës së Prokurorisë është i përgjithshëm dhe i paqëndrueshëm në substancë.
Megjithatë, një pjesë e mediave, me një papërgjegjësi të madhe profesionale, kanë shpërndarë tituj të pavërtetë, duke e paraqitur z. Bahtiri si “boss të një grupi kriminal”. Dua të jem shumë i qartë: ky pretendim nuk ekziston askund në dyshimet-zyrtare të Prokurorisë. Është një shpikje e pastër mediatike që synon linçimin publik dhe njollosjen e imazhit të një qytetari për të cilin nuk ekziston asnjë provë konkrete.
Bazuar në analizën time si avokat i z. Bahtiri dhe në përmbajtjen e kërkesës së Prokurorisë, konstatoj se paraburgimi ndaj tij është vendosur në mënyrë INDIREKTE mbi dy lidhje që nuk mund të konsiderohen as provë, as argument juridik:
- Që është baba i një të dyshuari me emër Brilant Bahtiri në këtë rast;
- Që është shok dhe i afërt me disa anëtarë të Lëvizjes Vetëvendosje, pa qenë vetë pjesë apo aktivist i këtij subjekti.
Nëse gjatë ndonjë hetimi ndaj djalit të tij Brilant Bahtiri – i cili është subjekt i veçantë në këtë çështje – z. Bahtiri është takuar me të, qoftë edhe nën masa të fshehta të ndjekjes, atëherë shtrohet pyetja thelbësore: Ku është krimi këtu?
A është bërë ndonjë veprim i jashtëligjshëm vetëm pse një baba është takuar me birin e tij(Brilant Bahtiri)? A mund t’i mohohet një babai e drejta për të takuar fëmijën e vet, pa ditur nëse ai është apo jo nën hetim?
Askush nuk ka të drejtë ta deformojë apo ndalojë marrëdhënien natyrore, njerëzore dhe të pandashme mes babait dhe birit. Kjo është një lidhje që as ligji, as morali, as shoqëria nuk mund ta bëjnë objekt ndëshkimi.
Nuk po kërkoj trajtim të veçantë. Po kërkoj drejtësi, drejtësi të pastër, pa paragjykime politike, pa presion publik dhe pa shtremberime mediatike. Nëse ndonjëherë provohet me fakte dhe prova reale përfshirja e z. Shemsi Bahtiri në ndonjë vepër penale, unë publikisht do të tërhiqem nga përfaqësimi i tij dhe do të shqyrtoj seriozisht tërheqjen nga profesioni i avokatit.
Por derisa nuk ka asnjë provë, dhe derisa po trajtohet vetëm si baba i dikujt dhe shok i dikujt, ky rast është një dështim i rëndë i sistemit të drejtësisë dhe një abuzim mediatik i dëmshëm.
Të jesh baba nuk është krim. Të jesh mik i dikujt nuk është bazë për ndalim. Të jesh i pafajshëm, derisa të vërtetohet e kundërta – kjo është e drejtë themelore, jo privilegj.