“Arrestimi i Shehollit rrezik serioz për rendin kushtetues” – Avokatët tregojnë se sa vite burgim mund të dënohet për spiunazh

Pothuajse 25 vjet paslufte, ish-pjesëtari i Sigurimit Shtetëror të Serbisë (UDB) gjatë viteve ’90, Fatmir Sheholli është arrestuar në Prishtinë nën dyshimin për spiunazh. Arrestimi i tij është kryer nga Prokuroria Speciale, nën asistencën e Agjencisë Kosovare të Inteligjencës, tha sot Prokuroria në një njoftim për media, raporton lajmi.net Dy avokatë të njohur, Ardian Bajraktari…

Lajme

09/10/2025 19:31

Pothuajse 25 vjet paslufte, ish-pjesëtari i Sigurimit Shtetëror të Serbisë (UDB) gjatë viteve ’90, Fatmir Sheholli është arrestuar në Prishtinë nën dyshimin për spiunazh.

Arrestimi i tij është kryer nga Prokuroria Speciale, nën asistencën e Agjencisë Kosovare të Inteligjencës, tha sot Prokuroria në një njoftim për media, raporton lajmi.net

Dy avokatë të njohur, Ardian Bajraktari dhe Xhevdet Smakiqi, kanë folur për Lajmi.net në lidhje me këtë çështje, duke e vlerësuar si një rast me ndikim të madh në sigurinë kombëtare të Kosovës.

Avokati Ardian Bajraktari thekson rëndësinë e veprës penale të spiunazhit, duke përmendur pasojat që sjell për rendin kushtetues dhe stabilitetin e vendit.

“Spiunazhi është vepër e veçantë penale, e cila bën pjesë në mesin e veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës. Kjo kategori, e veçmas kjo vepër penale, është me pasoja të mëdha për rendin kushtetues dhe për sigurinë e vendit. Ruajtja e disa të dhënave të natyrës sekrete është me interes thelbësor jo vetëm për sigurinë e vendit, por edhe për vendin në përgjithësi, prandaj, bazuar në rëndësinë që kanë të dhënat e tilla, si dhe pasojat që mund të shkaktohen nga vepra penale e spiunazhit, shkalla e ndëshkimit është nga 5 deri në 12 vite burgim.”

Bajraktari shton se këto vepra penale kanë pasoja serioze, në rastet kur kemi të bëjmë me krijimin apo drejtimin e ndonjë shërbimi të huaj informativ në Kosovë, dënimi është së paku 10 vjet burgim.

“Madje në rastet kur kemi të bëjmë me krijimin e ndonjë shërbimi të huaj informativ në Kosovë apo drejtimin e tij, dënimi është së paku 10 vite burgim, kurse nëse kemi të bëjmë me hyrje, përkatësisht rekrutim në ndonjë shërbim të huaj informativ, me mbledhjen e të dhënave për të apo në ndonjë mënyrë tjetër ndihmën e shërbimeve të tilla, dënimi është me së paku 5 vite burgim, por që mund të shkoj deri në 25 vite, aq sa është maksimumi i përgjithshëm i dënimit me burgim”, tha ai për lajmi.net.

Ndërkohë, avokati Xhevdet Smakiqi ndalet te rëndësia e ruajtjes së të dhënave sekrete dhe thirrja për mbështetje të institucioneve që po merren me rastin.

“Vepra penale spiunazhi nga neni 124 të KPRK-së është parashikuar në kapitullin XIV të veprave penale të rënda kundër Rendit Kushtetues dhe Sigurisë së Republikës së Kosovës. Edhe pse në këtë fazë edhe Fatmir Sheholli konsiderohet i pafajshëm në zbatim të parimit të prezumimit të fajësisë, ai në një procedurë penale tashmë të iniciar nga PSRK-ja, nëse rezulton me shpalljen fajtor, mund të dënohet nga neni 124 par. 1 jo më pak se 5 vjet deri në 12 vjet”, tregoi ai.

Smakiqi tutje tha se këto vepra penale kanë efekt dhe pasoja të drejtpërdrejta në sigurinë kombëtare.

“Sa i përket rrezikimit të Republikës së Kosovës, këto vepra penale kanë efekt dhe pasoja të drejtpërdrejta në sigurinë kombëtare, pasi shpërndarja apo ekspozimi i sekreteve shtetërore te agjencitë armike rrezikon stabilitetin dhe rendin juridik kushtetues, siç janë rastet e spiunazhit dhe sabotimit”, tha ai.

Në fund, Smakiqi nënvizon nevojën për profesionalizëm të lartë nga organet e drejtësisë, duke thënë se duhet organet e drejtësisë të punojnë me efektivitet dhe fokusim të veçantë për këto vepra, pasi kryhen zakonisht me dashje direkte.

“Duhet të mbështetet dhe përgëzuar AKI, Policinë dhe PSRK-në për përmbushjen e mandatit ligjor ku hetohen dhe akuzohen të dyshuarit për këto vepra penale që mbrojnë rendin juridik kushtetues dhe sovranitetin e Kosovës. Për këto vepra penale, duhet organet e drejtësisë të punojnë me efektivitet dhe fokusim të veçantë, pasi kryhen zakonisht me dashje direkte dhe nga personat me inteligjencë të lartë dhe pesha e përgjegjësisë është absolute për veprimet dhe pasojat që shkaktohen në dëm të sigurisë kombëtare të Kosovës”, tha ai.

Rasti “Sheholli” aktualisht është në fazën e hershme të procedurës hetimore, ndërsa pritet që organet e zbatimit të ligjit të vazhdojnë me hetime të hollësishme./Lajmi.net/