Arrestimi i Shehollit, Peci: Si ish-pjesëtar i SDB-së ka qenë i dyshuar që tri dekada, pse pikërisht tani u arrestua?
Drejtori i institutit KIPRED, Lulzim Peci, ka komentuar arrestimin e sotshëm të Fatmir Shehollit nën dyshimet për spiunazh. Ai ka vlerësuar se ky arrestim ngjall shumë pyetje. Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka shkruar se Sheholli ka qenë i dyshuar publik për më shumë se tri dekada. Sipas tij, Prokuroria Speciale duhet t`i…

Lajme
Drejtori i institutit KIPRED, Lulzim Peci, ka komentuar arrestimin e sotshëm të Fatmir Shehollit nën dyshimet për spiunazh.
Ai ka vlerësuar se ky arrestim ngjall shumë pyetje.
Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka shkruar se Sheholli ka qenë i dyshuar publik për më shumë se tri dekada.
Sipas tij, Prokuroria Speciale duhet t`i sqarojë dy pyetje.
“Arrestimi i sotshëm i Fatmir Shehollit për spiunazh ngjall shumë pyetje. Ai ka punuar për vite të tëra për SDB-në (Shërbimin e Sigurimit Shtetëror) të Serbisë dhe për regjimin e Millosheviqit, ndërkohë që ka deklaruar shumë herë se ka bashkëpunuar me LDK-në dhe UÇK-në. Nuk më kujtohet që këto deklarime të jenë mohuar nga përfaqësues të tyre! Si ish-pjesëtar i SDB-së (tani BIA), ai ka qenë i dyshuar publik për më shumë se tri dekada. Këtu shtrohet pyetja pse pikërisht tani u bë arrestimi?”, ka shkruar ai, duke treguar se në cilat cështje duhet të përgjigjet Prokuroria Speciale.
“Mirëpo, janë edhe dy pyetje edhe më të rëndësishme që duhet t’i sqarojë Prokuroria Speciale: së pari, a është vërtetuar se Sheholli është pjesë e BIA-s që ka vepruar nën mbulim në Kosovë që nga paslufta – që do të paraqiste një defekt të madh të sistemit të sigurise të Kosovës, apo ai është regrutuar rishtazi që do të paraqiste sukses të madh – dhe së dyti, çfarë informacione sekrete (të klasifikuara) ka pasur në posedim dhe ia ka përcjellë BIA-s. Të dyja këto përbëjnë vepra penale në Kosovë. Nëse kemi të bëjmë me informacione të klasifikuara, është me rëndësi parësore të dokumentohet se si ka arritur deri te këto të dhëna dhe kush ia ka dhënë. Në këtë rast, më i rrezikshëm për shtetin e Kosovës është dhënësi brenda sistemit të sigurisë sesa marrësi i tyre jashtë sistemit. Këta që në anglisht quhen “moles” janë spiunë brenda sistemit, të cilët demonstrojnë lojalitet, por, nga ana tjetër, i përcjellin në mënyrë klandestine informacionet sekrete një shërbimi të jashtëm. Shpresoj që nuk kemi të bëjmë me një rast të tillë!”, ka shkruar ai.