Arrestimi i pesë serbëve nën dyshimet për krime lufte, Vuçiq e cilëson si provokim të qëllimshëm
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka reaguar lidhur me arrestimin e pesë serbëve në Kosovë nën akuzat për krime lufte ka raportuar Radio Televizioni i Serbisë. Prokuroria Speciale e Kosovës njoftoi sot gjatë ditës se pas një hetimi disamujor, ka arrestuar pesë serbë të dyshuar për krime lufte. Të arrestuarit sipas prokurorisë dyshohen se në…
Lajme
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka reaguar lidhur me arrestimin e pesë serbëve në Kosovë nën akuzat për krime lufte ka raportuar Radio Televizioni i Serbisë.
Prokuroria Speciale e Kosovës njoftoi sot gjatë ditës se pas një hetimi disamujor, ka arrestuar pesë serbë të dyshuar për krime lufte.
Të arrestuarit sipas prokurorisë dyshohen se në prill të vitit 1999, në disa fshatra të Komunës së Gjilanit, kanë kryer një sërë krimesh ndaj civilëve shqiptarë, duke përfshirë vrasje, plagosje, djegie, rrëmbime, dhunime, maltretime dhe tortura.
E ndaj këtyre zhvillimeve të fundit ka reaguar presidenti serb, Vuçiq, i cili e ka cilësuar këtë veprim si një provokim të qëllimshëm.
“Po përpiqen të provokojnë çdo shtëpi serbe, që çdo shtëpi serbe të dijë se nuk guxon të qëndrojë në territorin e Kosovës. Është një heshtje e mjerueshme e ndërkombëtarëve dhe botës perëndimore, të cilët pretendojnë se nuk po e shohin çfarë po ndodh,” deklaroi Vuçiq në një konferencë për shtyp të shtunën pasdite.
Ai kritikoi qëndrimin e vendeve të QUINT-it, duke thënë se ata do të bëjnë vetëm deklarata të zbehta kundër veprimeve dhe më pas do të heshtin.
Vuçiq njoftoi se nesër do të ketë biseda me përfaqësuesit e Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
“Do t’i pyesim nëse ende duan të shtiren si të painteresuar dhe të pakualifikuar. Do t’ju kujtoj, kur një autobus ndalon në Serbi në pikën kufitare me Kroacinë, dhe në të ka shqiptarë të Kosovës – e gjithë Evropa bën dhe shkruan tekste – edhe pse askush nuk i ka prekur, as arrestuar,” shtoi Vuçiq.
Presidenti serb e cilësoi këtë situatë si një standard të dyfishtë dhe theksoi se Serbia duhet të përshtatet me ndryshimet globale.
“Ne duhet ta forcojmë vendin tonë, të ndjekim ndryshimet në botë dhe të kuptojmë se çfarë po ndodh, në mënyrë që të mos habitemi si në vitin 1989, kur nuk e kuptonim se çfarë po ndodhte në botë”, tha Vuçiq raporton Radiotelevizioni i Serbisë (RTS)./Lajmi.net