Arrestimi i kosovarit që bashkëpunoi me BIA-n, Tërnava: Mos bini në kurth të rrymave devijante

Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava ka përçuar një mesazh unifikues për të gjithë besimtarët pas arrestimi për spiunazh të Hysri Selimit. Tërnava ka bërë thirrje që askush mos të bije në kurthin e rrymave devijante. MESAZHI I HYTBES është ky: Të dashur besimtarë ! Në dritën e zhvillimeve të fundit dhe arrestimit të një personi…

Lajme

09/05/2025 15:55

Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava ka përçuar një mesazh unifikues për të gjithë besimtarët pas arrestimi për spiunazh të Hysri Selimit.

Tërnava ka bërë thirrje që askush mos të bije në kurthin e rrymave devijante.

MESAZHI I HYTBES është ky:

Të dashur besimtarë ! Në dritën e zhvillimeve të fundit dhe arrestimit të një personi të dyshuar për spiunazh e veprimtari armiqësore dhe përhapje të ideologjive ekstreme fetare në Kosovë, në dobi dhe për interesa të Serbisë, ndjejmë për obligim të reagojmë qartë dhe me përgjegjësi.

Ky rast, siç është raportuar nga mediat dhe institucionet relevante të sigurisë, ka të bëjë me një person që dyshohet se ka bashkëpunuar me shërbimet e sigurisë së Serbisë, me qëllim që të keqpërdorë fenë islame si pretekst për përhapjen e rrymave të dëmshme në mesin e rinisë sonë, për ta infektuar mendjen e tyre duke dëmtuar fenë tonë të pastër Islame, imazhin e kombit dhe shtetit tonë të Kosovës

Madje, ai person, në emër të fesë, për interesa të Serbisë, kishte shkuar edhe në Siri, në një luftë që Ne, prej fillimit e kemi sqaruar se nuk ka të bëjë asgjë me fenë islame, por që është shfrytëzuar për agjenda të ndryshme, kundër fesë tonë dhe kombit tonë.

Vëllezër besimtarë! Islami është fe e paqes, e mëshirës dhe e respektit për rendin dhe drejtësinë. Islami e mbështet shtetin, sigurinë dhe është kundër tradhtisë.

Ta tradhtosh një person është prej mëkateve të mëdha në Islam, e lëre më të tradhtosh kombin, shtetin dhe vetë fenë, duke e shfrytëzuar atë si pretekst për t’i shërbyer armikut. Në këtë kontekst, përshëndesim veprimin e institucioneve tona të sigurisë dhe shprehim kundërshtimin e fortë ndaj çdo forme të përpjekjeve për instrumentalizimin e fesë për qëllime politike, propagandistike apo të spiunazhit.

Këto veprime janë sulm ndaj shtetit, ndaj shoqërisë dhe sulmi më i madh ndaj vetë fesë së pastër Islame Të dashur besimtarë, Ju bëjmë thirrje të gjithëve – veçanërisht rinisë sonë – që të keni kujdes të shtuar dhe të mos bini në kurthet e rrymave devijante, të cilat synojnë t’ju mashtrojnë në emër të fesë. Mos lejoni që askush të përdorë emrin e Zotit për qëllime armiqësore dhe të errëta. Ju ftojmë që:

• Të merrni mësimet fetare vetëm nga Bashkësia Islame e Kosovës dhe nga imamët e saj të autorizuar, në xhamitë anë e kënd Kosovës, që janë shtëpi të Zotit dhe që nuk mund të zëvendësohen asnjëherë me kthina apo lokale të ndryshme, prapa të cilave nuk dihet se kush qëndron;

• Të mos ndiqni individë apo platforma anonime që pretendojnë të shpërndajnë dije islame, por që në thelb mund të jenë mjete të propagandës së agjendave të qarqeve të huaja që janë kundër kombit, shtetit dhe fesë sonë;

• Të jeni të vetëdijshëm se prapa këtyre përpjekjeve mund të fshihen qarqe që punojnë kundër besimit tonë, kundër shtetit të Kosovës dhe kundër bashkëjetesës sonë fetare e kombëtare.

Mos harroni se dashuria për atdheun është pjesë e besimit, ndërsa mbështetja për shtetin është obligim fetar dhe qytetar. Si besimtarë të devotshëm, kemi qenë dhe duhet të mbetemi pjesë e mbrojtjes së paqes, unitetit dhe identitetit kombëtar.

Ne qëndrojmë përkrah institucioneve tona në çdo përpjekje për ta mbrojtur vendin tonë nga ndikimet e huaja dhe për të ndërtuar një shoqëri të drejtë, të sigurt dhe të ndriçuar në dritën e dijes së vërtetë fetare islame. Le të jemi të bashkuar, të vëmendshëm dhe të qëndrueshëm.

Le të mos lejojmë askënd që të keqpërdorë fenë dhe ekstremizmin për të na përçarë, për të na manipuluar apo për të na kthyer kundër njëri-tjetrit. Kudo që dëgjoni qëndrime radikale dhe ekstremiste, pavarësisht natyrës së tyre, duhet ta dini se prapa tyre mund të fshihen qarqe që nuk ia duan të mirën Kosovës, fesë tonë , kombit tonë dhe që synojnë përçarjen, cenimin e bashkëjetesës si vlerë e kombit tonë.

Është detyrë e jona të jemi syçelë e vigjilent, ta ruajmë shtetin dhe fenë, të mos biem pre e provokimeve të ndryshme dhe të raportojmë rastet ku kemi dyshime. Zoti na ruajttë neve dhe atdheun tonë nga çdo e keqe!