Arrestimi i Erion Veliajt, SPAK del me njoftim zyrtar për akuzat që rëndojnë mbi të dhe bashkëshorten
Pas arrestimit të Erion Veliajt sot, SPAK ka dalë me një njoftim zyrtar për të dhe disa persona të tjerë. Në njoftim tregohen akuzat që rëndojnë mbi kryetarin e Bashkisë së Tiranës dhe gjashtë personave të tjerë. Njoftimi i plotë i SPAK: Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka regjistruar procedimin penal…

Lajme
Pas arrestimit të Erion Veliajt sot, SPAK ka dalë me një njoftim zyrtar për të dhe disa persona të tjerë.
Në njoftim tregohen akuzat që rëndojnë mbi kryetarin e Bashkisë së Tiranës dhe gjashtë personave të tjerë.
Njoftimi i plotë i SPAK:
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka regjistruar procedimin penal Nr. 27 të vitit 2024, që bën fjalë për veprat penale të “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”, “Deklaratat e rreme përpara oficerit të policisë gjyqësore” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, parashikuar nga neni 260, 245, 287/2, 257/a/2, 305/b e 301 i Kodit Penal.
Pas kryerjes së veprimeve hetimore, me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme më datë 24.01.2025, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me vendimin Nr. 7 Akti/datë 09.02.2025 ka vendosur:
Caktimin e masës së sigurimit personal me karakter shtrëngues “Arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale, për shtetasin nën hetim E. V., me detyrë, Kryetar i Bashkisë Tiranë, si i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim (9 herë) dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, parashikuar nga neni 260 e 25 dhe 287/2 i Kodit Penal;
Caktimin e masës së sigurimit personal me karakter shtrëngues “Arrest në shtëpi”, parashikuar nga neni 237 i Kodit të Procedurës Penale, për shtetasen nën hetim A. X., si e dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim (9 herë), “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”, parashikuar nga neni 260 e 25, 287/2 dhe 257/a/2 i Kodit Penal;
Caktimin e masës së sigurimit personal me karakter shtrëngues “Arrest në burg”, parashikuar nga neni 238, i Kodit të Procedurës Penale, për një shtetas të dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 287/2 i Kodit Penal, përfaqësues i subjektit tregtar “……..” shpk;
Caktimin e masës së sigurimit personal me karakter shtrëngues “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”, parashikuar nga neni 234 i Kodit të Procedurës Penale, për personin nën hetim G. S., si i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë”, parashikuar nga neni 245 i Kodit Penal, përfaqësues i subjektit tregtar “A. K.” shpk;
Caktimin e masës së sigurimit personal me karakter shtrëngues “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”, parashikuar nga neni 234 i Kodit të Procedurës Penale, për personin nën hetim M. P., si i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë”, parashikuar nga neni 245 i Kodit Penal, përfaqësues i subjektit tregtar “P.” shpk;
Caktimin e masës së sigurimit personal me karakter shtrëngues “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”, parashikuar nga neni 234 i Kodit të Procedurës Penale, për personin nën hetim F. B., si i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë”, parashikuar nga neni 245 i Kodit Penal, përfaqësues i subjektit tregtar “K.” shpk;
Caktimin e masës së sigurimit personal me karakter shtrëngues “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”, parashikuar nga neni 234 i Kodit të Procedurës Penale, për personin nën hetim S. K., si i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë”, parashikuar nga neni 245 i Kodit Penal, përfaqësues i subjektit tregtar “G.-A” shpk;
Caktimin e masës së sigurimit personal me karakter shtrëngues “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”, parashikuar nga neni 234 i Kodit të Procedurës Penale, për personin nën hetim SH. F., si i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë”, parashikuar nga neni 245 i Kodit Penal, përfaqësues i subjektit tregtar “F.” shpk.
Nga të dhënat konkrete të mbledhura deri në këtë fazë të hetimit paraprak, në mënyrë të përmbledhur rezulton se, nga shtetasit nën hetim, specifikisht E.V. (me detyrë kryetar i Bashkisë Tiranë) si edhe bashkëshortja e këtij të fundit, A. X., është ideuar, krijuar dhe vënë në funksionim një mekanizëm që ka synuar dhe ka bërë të mundur, në praktikë, marrjen e përfitimeve të parregullta, të cilat burojnë nga fondet publike që administrohen nga Bashkia Tiranë, përmes titullarit të saj, me qëllim pasurimin personal të këtij të fundit dhe familjes së tij, përmes veprimeve të kamufluara dhe të kundërligjshme. Në lidhje me praktikat e ndjekura nga këta shtetas, nisur nga provat e administruara në fashikull, në të paktën 10 raste, krijohet dyshimi i arsyeshëm për kryerjen e veprimeve me natyrë korruptive nga i zgjedhuri vendor, si edhe pastrim të produkteve të veprës penale.
Kryetari i Bashkisë Tiranë, shtetasi E. V., përmes veprimeve konkrete të cilat kanë kulmuar me nënshkrimin e tij ka miratuar në çdo rast shpërndarjen e fondeve publike si edhe lejet e ndërtimit tek disa subjekte tregtare, të lidhur ngushtë me të, përfaqësuesit e të cilëve janë përmendur më lart. Këto fonde publike më pas kanë përfunduar tek disa organizata jofitimprurëse, shoqëri me përgjegjësi të kufizuar, persona fizikë të kontrolluar de jure dhe de facto nga bashkëshortja e tij, shtetësja A. X., si edhe individë të afërt me këtë të fundit, duke krijuar një rrjet të dyshimtë e të komplikuar transaksionesh.
Organi procedues ka mbledhur prova, të cilat krijojnë dyshimin e arsyeshëm mbi ekzistencën dhe funksionimin e një skeme korruptive, nga zbërthimi i së cilës në përmbledhje rezulton se fondet publike që dalin nga institucioni i Bashkisë Tiranë, me nënshkrimin e titullarit, i) kanë kaluar drejtpërsëdrejti tek bashkëshortja e këtij të fundit (rrjedhimisht tek vetë shtetasi nën hetim E. V.) dhe rrethi i saj familjar, përmes OJF-ve dhe personave juridikë të kontrolluar de jure dhe de facto nga kjo shtetase; ii) kanë kaluar përmes sponsorizimeve, likuidimeve të faturave fiktive apo blerjeve, të bëra prej subjekteve tregtare, të cilët nga ana e tyre kanë përfituar leje ndërtimi apo fonde publike nga Bashkia Tiranë, tek OJF-të, shpk-të dhe personat fizikë të kontrolluar de jure dhe de facto nga bashkëshortja e kryetarit të Bashkisë Tiranë; iii) kanë kaluar si pasuri të paluajtshme në vlerë të konsiderueshme, specifikisht një godinë banimi e tipit “Vilë” e ndodhur në Qerret-Kompleksi “Marea Resort”, dhënë si përfitim i parregullt nga persona konkretë përmendur më lartë, të cilët zotërojnë dhe përfaqësojnë subjekte tregtarë, të lidhur ngushtë me interesa financiare me Bashkinë Tiranë, përmes përfitimit të fondeve publike si edhe lejeve të ndërtimit, tek familja e kryetarit të Bashkisë Tiranë; iv) janë shpenzuar për blerje me vlera të mëdha nga bashkëshortja e kryetarit të Bashkisë Tiranë, duke i kamufluar këto blerje, përmes personave të tjerë. Çdo transferim i këtyre fondeve publike dhe lëshimi i lejeve të ndërtimit është kryer me miratimin e kryetarit të Bashkisë Tiranë, shtetasit E.V.
Faktet dhe provat e grumbulluara, edhe pse i referohen episodeve konkrete të evidentuara deri në këtë fazë, krijojnë dyshimin e arsyeshëm se në rastin konkret bëhet fjalë për një sistem të organizuar korrupsioni dhe shpërdorimi të fondeve publike, të shtrirë në kohë, sipas një skeme të vënë në funksionim nga kryetari i bashkisë Tiranë dhe bashkëshortja e këtij të fundit. Në qendër të kësaj skeme korrupsioni dhe pastrimi të produkteve që burojnë nga kjo vepër, rezulton të jetë titullari i institucionit, nënshkrimi i të cilit ka qenë përcaktues për shpërndarjen e fondeve publike, prej të cilave ai dhe familjarët e tij të ngushtë kanë përfituar drejtpërsëdrejti në mënyrë të parregullt.
Organi procedues ka arritur në konkluzionin se, përveç pasurive të paluajtshme të përfituara nga shtetasit nën hetim (nën regjimin pasuror të bashkësisë ligjore), këta të fundit, vetëm përmes shoqërive “P. L.” shpk, “A. L.” shpk, “A. S.” shpk, “N. G.” shpk, “H.” OJF, “E.” OJF, “B.-A” OJF dhe “M.” OJF, për të cilat ekzistojnë prova të mjaftueshme se kontrollohen plotësisht nga bashkëshortja e kryetarit të Bashkisë Tiranë, por edhe “R.” shpk dhe shoqëri të tjera të lidhura me shtetasin nën hetim E. A., kanë gjeneruar të ardhura të cilat kapin shifrën e rreth 110.000.000 lekë.
Më pas, me veprimet e tyre të kundërligjshme, të kryera në bashkëpunim dhe më shumë se një herë, të cilat konsistojnë në integrimin në sistemin bankar të këtyre shumave monetare, të siguruara si përfitime të parregullta, por edhe të fshehjes ose mbulimit të natyrës së vërtetë së pasurive, në kushtet kur këto pasuri dihet se janë produkte të veprës penale sipas nenit 260 të ligjit material, shtetasit nën hetim dyshohet se kanë përmbushur elementët e parashikuar në gërmat a) dhe b) të nenit 287 të Kodit Penal (“Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”).
Qëllimi kriminal i shtetasve nën hetim për integrimin në sistemin bankar të shumave monetare të cilat janë rezultat i përfitimeve të parregullta, do të ishte i pamundur të përmbushej pa rolin përcaktues të subjekteve të tjera tregtare, shpk dhe OJF, të identifikuar deri tani në regjistrin e njoftimit të veprave penale. OJF-të “H.”, “E.”, “M.” dhe “B.-A”, të kontrolluara plotësisht nga shtetësja nën hetim A. X., deri në këtë fazë të hetimit paraprak dyshohet të kenë kryer veprime konkrete të kundërligjshme në drejtim të pastrimit të produkteve të veprës penale, nëpërmjet transferimit të pasurive me qëllim fshehjen ose mbulimin e origjinës së paligjshme të tyre, duke ditur se këto pasuri janë produkt i veprës penale sipas nenit 260 të Kodit Penal. Në vijim të hetimeve Prokuroria e Posaçme ka regjistruar në regjistrin e njoftimit të veprave penale edhe emrat tregëtarë të këtyre OJF – ve.