Arrestimi i 16 serbëve, reagon Dioqeza e Rashkës dhe Prizrenit
Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, njoftoi se autoritetet kanë ndaluar 16 persona, duke thënë se në mesin e tyre kishte edhe “oficerë aktivë të shërbimeve të sigurisë të Serbisë”. Ndërkaq, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se personat e ndaluar po vizitonin manastiret përreth Prizrenit. Përmes një postimi…

Lajme
Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, njoftoi se autoritetet kanë ndaluar 16 persona, duke thënë se në mesin e tyre kishte edhe “oficerë aktivë të shërbimeve të sigurisë të Serbisë”. Ndërkaq, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se personat e ndaluar po vizitonin manastiret përreth Prizrenit.
Përmes një postimi në Facebook, Sveçla se ndalimi i tyre u bë gjatë një operacioni të zhvilluar më 5 dhe 06.04.2025, duke shtuar se të ndaluarit po udhëtonin me katër automjete të ndara me targa nga Kragujevci, qytet në Serbi.
Grupi i parë, sipas tij, i përbërë nga katër persona, u ndalua në Gjakovë. Ndërkaq, 12 persona të tjerë u ndaluan në Prizren.
“Sipas të dhënave fillestare, dyshohet se këto grupe kishin për qëllim mbledhjen e informacioneve për caqe të mundshme, pasi janë gjetur dëshmi të ndërlidhjes me strukturat e inteligjencës ushtarake serbe si dhe me anëtarë të grupit terrorist të Banjskës”, shkroi Sveçla.
Sipas tij, grupit të parë të ndaluar në Gjakovë, ndal të cilëve është shqiptuar masa e ndalimit prej 48-orësh, gjatë kontrollit të makinës me të cilin po udhëtonin iu gjetën “fotografi me hartën e Republikës së Kosovës, fotografi të terroristëve të vrarë gjatë sulmit në Banjskë, dy thika, një sëpatë dhe një dritë rotative”.
Për ndalimin e katër personave në Gjakovë ka raportuar edhe Policia e Kosovës, por edhe në njoftimin për mbledhjen e Këshillit të Sigurisë së Kosovës, të mbajtur të dielën, është përmendur ky rast.
Ministri në detyrë Sveçla, ndërkaq, pretendoi se 12 personat e ndaluar në Prizren, “po strehoheshin në Seminarin Ortodoks të Bogosllavisë”.
“Edhe në këtë grup ishin dy oficerë aktivë të shërbimeve të sigurisë serbe”, u shpreh Sveçla.
Në anën tjetër, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se personat e ndaluar kishin shkuar për të vizituar Seminarin Teologjik dhe manastiret përreth Prizrenit.
“Imagjinoni, disa nga këta persona janë edhe pjesëtarë të strukturave të sigurisë, dhe pastaj u kanë gjetur, thonë, një thikë dhe një sëpatë të thyer – është krejtësisht e qartë se nuk shërbejnë për asgjë tjetër, përveç për ndonjë përdorim privat dhe nevoja personale”, u shpreh Vuçiq më 6 prill.
“Dhe, kjo ju tregon çfarë terrori po vazhdon ndaj serbëve”, shtoi ai.
Udhëheqësi i Ministrisë së Brendshme të Kosovës, ndërkaq, deklaroi se bazuar në hetimet paraprake të organeve të rendit të Kosovës, një nga të ndaluarit është “konfirmuar se është zyrtar i policisë serbe me gradë të togerit policor”, i cili, siç pretendoi Sveçla, “ka lidhje të afërta familjare me anëtarin e grupit terrorist të Banjskës, Nemanja Radivojeviq, nofka ‘Gandi’”.
“Ky i fundit është i afërt i Vlladimir Radivojeviq, nofka ‘Mami’, i cili është i dyshuari kryesor për vrasjen e rreshterit policor të Kosovës, Afrim Bunjaku. Zyrtari tjetër ushtarak, i cili bart gradën e kapitenit të klasit të parë, është lidhje e ish-gjeneralit të inteligjencës ushtarake serbe, Jovan Millanoviq, i njohur për përfshirjen në rrjedhjen e të dhënave të NATO-s para bombardimeve mbi caqet serbe”, tha Sveçla.