Arrestimet nga Gjykata Speciale, flet Faton Klinaku: Po bëhet për spektakël
Tri arrestime të njëpasnjëshme kanë kryer sot zyrtarët policorë të EULEX-it me urdhër të Prokurorisë së Specializuar në Hagë. Rreth orës 06:30- 07:00 arrestimet janë bërë në tri lokacione të ndryshme. Specialja sot arrestoi ish-kryetarin e Malishevës, Isni Kilaj, ish-shefin e Agjencisë Kosovare të Inteligjencës, Bashkim Smakaj si dhe luftëtarin e UÇK-së, Fazli Fazliu. Arrestimet…
Lajme
Tri arrestime të njëpasnjëshme kanë kryer sot zyrtarët policorë të EULEX-it me urdhër të Prokurorisë së Specializuar në Hagë.
Rreth orës 06:30- 07:00 arrestimet janë bërë në tri lokacione të ndryshme.
Specialja sot arrestoi ish-kryetarin e Malishevës, Isni Kilaj, ish-shefin e Agjencisë Kosovare të Inteligjencës, Bashkim Smakaj si dhe luftëtarin e UÇK-së, Fazli Fazliu.
Arrestimet edhe nuk janë bërë të ditura zyrtarisht nga Specialja, e assesi nuk janë dhënë as detaje shtesë në lidhje me arrestimet e tyre.
Në lidhje me këtë situatë të krijuar, lajmi.net ka kontaktuar me ushtruesin e detyrës së kryetarit të Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK), Faton Klinaku i cili u shpreh i revoltuar në lidhje me arrestimet e fundit.
Klinaku i ka quajtur “spektakël”, këto arrestime pasi sipas tij po bëhen për përfitime.
“Kjo nuk është asgjë po bëhet spektakël i panevojshëm me qëllim përfitime po le ta vazhdojnë spektaklin”, ka thënë ai.
Gjithashtu siç deklaron Klinaku, “Gjykata Speciale po vazhdon gjahun ndaj UÇK-së dhe luftëtarëve të lirisë”.
“Në media u dha lajmi për arrestimin e Isni Kilajt e Bashkim Smakajt, por sipas informatave që po më vijnë është arrestuar edhe Fadil Fazliu, vëllai i dëshmorëve Fahri e Bahri Fazliu”, deklaroi tutje ai.
Në kuadër të Speciales po vazhdon gjykimi ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Sot po ashtu vazhdon seanca ndaj ish-luftëtarëve, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi.
Para trupit gjykues sot do të paraqitet për dëshmi për disatën herë me radhë, Sokol Bashota./Lajmi.net/