Arrest shtëpiak për një anëtar të KQZ-së në Prizren, dyshohet se fshehu gjashtë fletëvotime
Gjykata Themelore në Prizren i ka caktuar masën e arrestit shtëpiak në kohëzgjatje prej një muaji të pandehurit me inicialet A.D., i dyshuar për veprën penale “Asgjësimi i materialeve të votimit”. Sipas njoftimit të Gjykatës, masa do të jetë në fuqi deri më 7 korrik 2026, ndërsa i pandehuri nuk do të lejohet të largohet…
Lajme
Gjykata Themelore në Prizren i ka caktuar masën e arrestit shtëpiak në kohëzgjatje prej një muaji të pandehurit me inicialet A.D., i dyshuar për veprën penale “Asgjësimi i materialeve të votimit”.
Sipas njoftimit të Gjykatës, masa do të jetë në fuqi deri më 7 korrik 2026, ndërsa i pandehuri nuk do të lejohet të largohet nga vendbanimi pa autorizim të gjykatës dhe nuk do të mund të kontaktojë me persona që nuk janë pjesë e familjes së tij, shkruan lajmi.net.
Sipas dyshimeve të ngritura nga organet e drejtësisë, A.D., në cilësinë e anëtarit të KQZ-së në qendrën e votimit në shkollën “Sharri” në Jabllanicë të Prizrenit, më 7 qershor dyshohet se ka marrë dhe fshehur gjashtë fletëvotime të paplotësuara, duke i shkëputur ato nga blloku i fletëvotimeve.
Gjykata ka bërë të ditur se veprimet e dyshuara janë kryer me qëllim të pengimit të rrjedhës normale të procesit zgjedhor dhe shprehjes së lirë të vullnetit të qytetarëve.
Megjithatë, gjyqtarja e procedurës paraprake ka vlerësuar se kërkesa e Prokurorisë për paraburgim nuk është e bazuar dhe se qëllimi i procedurës mund të arrihet edhe përmes masës së arrestit shtëpiak.
Sipas vendimit, arresti shtëpiak do të mbikëqyret nga Policia e Kosovës në Prizren, ndërsa në rast të shkeljes së kësaj mase, ajo mund të zëvendësohet me paraburgim.
Gjykata theksoi se dyshimet aktuale bazohen në provat e mbledhura deri në këtë fazë të hetimit, ndërsa vërtetimi i tyre do të vlerësohet gjatë procedurës së mëtejme penale. /Lajmi.net/