Arrest shtëpiak ndaj të dyshuarit se si pjesë e ISIS-it bashkë me të pandehur tjerë planifikonin sulm terrorist në Kosovë

Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti Special ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK) duke ia caktuar masën e arrestit shtëpiak në kohëzgjatje prej një muaji K.H., i dyshuar për përgatitje të veprave terroriste dhe organizim e pjesëmarrje në grup terrorist. Për të dyshuarin, Policia përmes raportit 24 orësh ka njoftuar se…

Lajme

17/09/2024 17:18

Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti Special ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK) duke ia caktuar masën e arrestit shtëpiak në kohëzgjatje prej një muaji K.H., i dyshuar për përgatitje të veprave terroriste dhe organizim e pjesëmarrje në grup terrorist.

Për të dyshuarin, Policia përmes raportit 24 orësh ka njoftuar se është vetëdorëzuar, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në njoftimin e Gjykatës, thuhet se i dyshuari obligohet të qëndrojë në vendbanimin e tij dhe në asnjë mënyrë pa leje të gjykatës nuk guxon të largohet nga shtëpia e tij.

“Ndërsa mbikëqyrjen e masës së arrestit shtëpiak do ta bëjë Policia e Kosovës, ashtu që nëse i pandehuri nuk i përmbahet kësaj mase, masa e arrestit do të zëvendësohet me masën e paraburgimit, po ashtu është obliguar Stacioni Policor që për mos respektimin e kësaj mase nga ana e të pandehurit K.H, të lajmërojë Gjykatën Themelore – Departamentin Special në Prishtinë”, thuhet në njoftim.

Sipas Gjykatës, K.H., i takon organizatër terroriste ISIS, e që bashkë me Lavdrim Muhaxherin e të pandehur të tjerë, kishin përgatitur sulme terroriste në territorin e Ballkanit, së pari në Kosovë kishin planifikuar të sulmonin ndërkombëtarët dhe institucionet e sigurisë.

“I pandehuri K.H i takon organizatës terroriste ISIS, i njëjti gjatë muajve shtator – tetor të vitit 2016, sipas udhëzimeve të ish-udhëheqësit të Shqiptarëve në Siri, Lavdrim Muhaxheri, së bashku me të pandehurit tjerë, kishin përgatitur sulme terroriste në territorin e Ballkanit dhe atë së pari në Kosovë, kishin planifikuar që të sulmojnë ndërkombëtarët dhe institucionet  e sigurisë, me qëllim që duke luftuar seriozisht të frikësojnë popullsinë, të destabilizojnë dhe të shkatërrojnë strukturat themelore politike, kushtetuese, ekonomike dhe sociale të shteteve të ndryshme, pastaj në territorin e tyre të krijojnë shtetin islamik “Iraku dhe Levant”, thuhet në njoftim.

Me këtë, dyshohet se në bashkëkryerje ka kryer veprën penale “Përgatitja e veprave terroriste ose veprave kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës” si dhe veprën penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grup terrorist”.

“Gjykata vlerëson se në bazë të rrethanave faktike, nëse i pandehuri K.H do të mbrohet në liri, i njëjti mund të ik dhe të jetë i pakapshëm për organet e drejtësisë, e që me këto veprime do të pengonte rrjedhën e procedures penale, po ashtu gjykata vlerëson se nëse i pandehuri mbrohet në liri, ekziston rreziku i përsëritjes së veprave penale, andaj gjyqtari i procedurës paraprake erdhi në përfundim se kërkesa e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës është e bazuar, për caktimin e masës së arrestit shtëpiak kundër të pandehurit K.H, me qëllim të sigurimit të pranisë së tij në procedurë penale dhe të zbatimit të suksesshëm të procedurës penale”, thuhet në njoftim.

Kundër këtij aktvendimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë.