Aromë Lexhendare në Prishtinë
Partia e Fortë ka zgjidhje për erën e keqe që lëshojnë kontejnerët në Kryeqytet. Parfumi automatik është shpëtimi. Idetë e mëdha vijnë nga njerëzit e mëdhenj, siç është Kryetari Lexhendar.

Lajme
Kandidati për Kryetar të Prishtinës nga Partia e Fortë, Visar Arifaj, di si ta largojë kundërmimin në Prishtinë.
Nuk ka nevojë për shpenzime të mëdha, e ndoshta as për drunj, lule e gjelbërim. Mjafton një ide brilante. Dhe, Kryetarit Lexhendar i ka dhezur ajo.
Ai ka shpalosur planin e tij të veçantë, të enjten, për ta shpëtuar Kryeqytetin nga era e bezdisshme.
“Deri sot, gjatë qeverisjeve të kaluara zgjidhja që është tentuar të bëhet është me pastrimin e rregullt dhe mënjanimin e tyre në baza të rregullta, mirëpo kjo s’është treguar si metodë e suksesshme”.
“Sipas grupit të ekspertëve të Partisë së Fortë, kemi ardhur në përfundim që mënyra më e mirë do të jetë teknologjia e aromatizuesve të cilat do të instalohen në çdo pikë ku ka kanta të bërllokut dhe pika të hedhjes së tyre”.
“Është një teknologji që ende as vendet europiane nuk kanë arritur ta implementojnë në vendet e tyre. Dhe është një mënyrë shumë më praktike, ndoshta se vetë gjelbërimet, pasi që nuk ke nevojë të krijosh hapësira me shumë drunj e lule për ta pastruar ajrin”.
“Duke e ditur që s’kanë mbetur as 20 vjet që Kosova do të jetë pjesë e Europës, ne duhet ta kemi prioritet edhe çështjen e mënjanimit dhe higjienës së përgjithshme të qytetit”.
Duke shpjeguar se si funksionon aromatizuesi automatik, Kryetari Lexhendar edhe e ka demonstruar këtë zgjidhje në njërin nga kontejnerët e qytetit.
“E tëra që nevojitet këtu është që kohë pas kohe, pas disa muajve, vetëm një zyrtar duhet të vijë dhe t’ia ndërrojë bocën që është brenda. Dhe kaq është mundi që Komuna do ta ketë për mënjanimin e këtyre erërave kaq të bezdisshme”.
Pyetjes së lajmi.net se në cilën nga shpejtësitë duhet lëshuar ky parfum, Visar Arifaj zgjodhi një mesatare.
“Kuptohet që shpejtësia duhet të jetë në mesatare, duhet të shkohet në rrugën e mesme. Në 2’sh.”