Armëpushim i ri treditësh në Gaza

Armëpushimi më i ri në Rripin e Gazës në kohëzgjatje prej 72 orësh ka hyrë në fuqi nga mesnata ndërmjet së dielës e të hënës. 

Bota

11/08/2014 19:20

Mendohet që armëpushimi më i ri ndërmjet forcave izraelite dhe atyre palestineze të Hamasit, i arritur me ndërmjetësimin e Egjiptit, do të mundësojë rihapjen e negociatave paqësore për një armëpushim afatgjatë.

“Asnjë raketë nuk u lansua nga Rripi i Gazës drejt territoreve izraelite, ndërkohë që aviacioni izraelit nuk kreu asnjë manovër ajrore në pjesën palestineze që kur armëpushimi u shpall”, njoftoi një zëdhënës i ushtrisë izraelite, transmeton ATSH.

Negociatorët tashmë po punojnë që të transformojnë këtë armëpushim disaditor në një paqe afatgjatë, për t’i dhënë fund një konflikti që ka shkaktuar më shumë se dy mijë të vdekur.

Egjipti u ka kërkuar të dyja palëve që të përfitojnë nga ky armëpushim për të punuar mbi një paqe globale dhe afatgjatë, sikurse edhe sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki-mun, i cili nxiti Izraelin dhe Hamasin të punojnë për një armëpushim me një afat më të gjatë.