Armatimi serb në veri dëshmon përfshirjen e drejtpërdrejtë të Beogradit, thotë Sveçla

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka njoftuar se Policia e Kosovës ka konfiskuar sot në Mitrovicën e Veriut disa raketahedhës krahu, të njohura si “zolla”, që sipas tij janë armë të prodhimit serb. “Këto raketahedhës krahu (zolla) janë armë të prodhimit serb, të gjetura sot nga Policia e Kosovës në Mitrovicën e Veriut.…

Lajme

21/07/2025 17:58

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka njoftuar se Policia e Kosovës ka konfiskuar sot në Mitrovicën e Veriut disa raketahedhës krahu, të njohura si “zolla”, që sipas tij janë armë të prodhimit serb.

“Këto raketahedhës krahu (zolla) janë armë të prodhimit serb, të gjetura sot nga Policia e Kosovës në Mitrovicën e Veriut. Për nivelin dhe sasinë e armatimit të konfiskuar gjatë këtyre katër viteve jemi dëshmitarë të gjithë,” shkroi Sveçla.

Ai akuzoi Serbinë për rol të drejtpërdrejtë në destabilizimin e situatës në veri të Kosovës, duke e quajtur Beogradin një faktor që jo vetëm nuk distancohet nga veprimet kriminale, por edhe i nxit dhe i mbështet ato.

“Beogradi jo vetëm që nuk është distancuar asnjëherë nga këto mjete dhe veprime në veri të vendit, por përkundrazi, për vite me radhë i ka stimuluar, organizuar dhe furnizuar grupet terroriste dhe bandat kriminale, me të vetmin qëllim: cënimin e integritetit territorial dhe rendit kushtetues të Republikës së Kosovës,” ka theksuar ministri.

Sveçla theksoi se institucionet e sigurisë mbeten të vendosura për të çrrënjosur çdo formë të krimit dhe terrorit në veri.

“Ne jemi të vendosur që në mënyrë sistematike dhe pa asnjë dilemë të çmontojmë çdo prani kriminale apo potencial terrorist në vendin tonë. Çdo ditë e më shumë po e kthejmë rendin në atë pjesë të territorit dhe, bashkë me të, edhe investimet dhe zhvillimin për të gjithë qytetarët, pa dallim,” përfundoi ai.