Armata e Albinit dhe trualli i “Hasan Prishtinës”

Kisha serbe, e ndërtuar në kompleksin universitar të Universitetit të Prishtinës, që prej vënies së gurthemelit e deri më sot vazhdon ta ketë imazhin e vrazhdë dhe të bëhet pengesë për të gjithë studentët e “Hasan Prishtinës”, të cilëve ua ka marrë truallin e qëmoçëm.

Lajme

22/09/2017 11:38

Përpos disa fjalëve të pista që dikush dikur pati shkruar në muret e saj të poshtme dhe të epërme, askush tjetër asnjëherë s’ia ka mësyrë ta bëjë rrafsh me tokë, as ndonjë ish-komandant, as ndonjë ish-ushtar, edhe pse janë alarmuar rrejshëm disa herë UNMIK-u, EULEX-i, KFOR-i, Policia e Kosovës, se përreth saj është vendosur dinamit. Meqë e kanë nëpërkëmbur qëllimin e saj ata që e bënë luftën në Kosovë, kisha ka mbetur këtu ku është, ja sa, 50 metra vijë ajrore larg meje, nga Biblioteka Kombëtare e Kosovës; 200 metra nga Rektorati; 150 nga Fakulteti Ekonomik e Juridik, midis zemrës së truallit të albanologjisë.

S’ka bërë gjë, as për rrëzimin e saj e as për ta bërë të përshtatshëm për ndonjë veprimtari tjetër, asnjëri kryetar komune i Prishtinës: as Ismeti, as Isa, as tash Shpendi që, për dallim nga dy të parët, i ka aktivistët e flaktë, patriotë, që thonë se edhe janë të zotë, të cilët kohë të gjatë rrotullonin kamionë me mallra serbe në magjistralen Prishtinë – Vushtrri e po kaq kohë nuk vinin ta gjuanin një gur në drejtim të kishës, as të bënin një protestë të vogël brenda saj e as të madhe jashtë saj. Dmth., ka dështuar e gjithë armata e Albinit, e Lëvizjes Vetëvendosje!, e cila, në emër të patriotizmit, duke u thirrur në bashkim kombëtar, duke mbajtur “znaçkat” me flamurin kombëtar nëpër xhaketa, duke u thirrur në mbrojtje të territorit të vendit, edhe për ndërprerje të dialogut me Serbinë, mbledh vota gjithandej Kosovës për shkak të fjalëve të forta, të këndshme për vesh, e veprimeve të dobëta pa kurrfarë rezultati të mirë për Kosovën dhe qytetarët e saj. Dëmi më i madh që deri më sot i është bërë vendit nga kjo armatë, nga kjo turmë pa krye, është dëmi që i ka bërë objektit të Qeverisë së Republikës së Kosovës disa herë, duke e gjuajtur me gurë të mëdhenj po aq dhunshëm e me po aq urrejtje e qëllim dobiprurës sa sivjet e gjuajtën haxhilerët dreqin në Mina.

S’ka bërë gjë për ndryshimin e qëllimit të saj asnjë ministër arsimi, asnjë rektor, të cilët, po aq sa Komuna e Prishtinës, janë përgjegjës për ruajtjen e oborrit të “Hasanit”. Mbase kanë pasur ide çfarë të bëjnë me të, por janë penguar edhe nga tanët, edhe nga të huajt, e dinë pse.

Por, kjo kishë, nëse jo Galeri e Arteve, mund të bëhet bibliotekë. Ja se si…

Fillimisht objektit i hiqet kryqi i madh dhe i ndritshëm. Pastaj bëhen intervenime jashtë saj dhe brenda saj. Pastaj, fondi i librit serb, i cili është i madh, sepse librin shqip masat e dhunshme serbe e dërguan dhe e dogjën në Lipjan dhe e pakësuan aq sa patën kohë derisa iknin nga Kosova kur NATO-ja u afrohej pranë, e që gjendet në depot e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, të zhvendoset në këtë kishë pasi kjo të përshtatet për bibliotekë. Meqë ashtu-kështu, kjo kishë, kurrë nuk do të bëhet kishë, më mirë është të bëhet Bibliotekë e Librit Serb dhe t’u shërbejë atyre lexuesve që kërkojnë libra në gjuhën serbe jashtë Bibliotekës Kombëtare të Kosovës.

Kushdo që punon me mendje dhe zemër dhe që e ndien veten shqiptar të vërtetë, le të mendojë pak kohë për këtë kishë dhe për bërjen e saj bibliotekë. Tekefundit, nëse s’ka kaçik të bëjë gjë për ndryshimin e saj, të dalë para saj të protestojë jo vetëm sot e nesër, por derisa të përfundojë fushata zgjedhore, pastaj edhe pas saj.