Arma e fshehur e Serbisë – A do të bie Hoti pre e presionit të Listës Serbe për asociacionin?
Lista Serbe ka lëshuar një paralajmërim në formë kërcënimi për qeverinë e Kosovës. Ata nga Serbia kanë deklaruar se në rast të mos implementimit të marrëveshjes Kosovë - Serbi për formimin e asociacionit do të largohen nga institucionet e Kosovës.

Lajme
Këto deklarata i ka bërë Petar Petkoviq, drejtor i ri i të ashtuquajturës Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, shkruan lajmi.net.
Ai gjatë takimit me përfaqësuesit serbë të Kosovës të mbajtur në Beograd ka paralajmëruar tërheqjen e Listës Serbe nga institucionet e Kosovës, rrjedhimisht edhe nga koalicioni qeverisës në krye me Avdullah Hotin.
Këto kërcënime Petkoviq i ka bërë në funksion të presionit për formimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.
Petkoviq nuk iu përgjigj pyetjes së Radios Evropa e Lirë (RFE) rreth afatit të fundit për Prishtinën, pas së cilit, Serbia do të heqë dorë nga zbatimi i Marrëveshjes së Brukselit. Ai, gjithashtu nuk specifikoi hapat e ardhshëm të Serbisë lidhur me këtë çështje.
“Nuk do të ketë marrëveshje mbi normalizimin e marrëdhënieve me Prishtinën përpara formimit të Asociacionit, dhe as nuk është në rend të ditës dhe as që është diskutuar diku. Serbia nuk do ta njohë Kosovën, dhe në këmbim të marrë një asgjë të madhe. Marrëveshja duhet të burojë nga dialogu”, tha Petkoviq.
E tërheqja e Listës Serbe nga koalicioni do të dëmtonte kryeministrin Hoti dhe koalicionin e tij qeverisës. Megjithatë, njëlloj sikur në lëkundjet e tjera të themeleve të qeverisë së tij pas mospajtimeve me partnerët, Hoti ka thënë se nuk pranon kërcënime nga askush, përfshirë edhe Listën Serbe.
Por, nga tërheqja e serbëve nga koalicioni, automatikisht qeveria e udhëhequr nga kryeministri Hoti do të humbte shumicën në Kuvendin e Kosovës dhe kjo do të nënkuptonte rënie të qeverisë, kur në anën tjetër, Hoti po përballet me presionin e Brukselit që të kthehet në dialog ku Serbia po kërkon të hapet edhe tema e asociacionit.
Lidhur me këtë, Hoti ka thënë se: “Qeveria nuk do të pranojë diskutimin e kësaj teme në tryezën e bisedimeve, por do të respektojë detyrimet e marrëveshjes së arritur, të cilat më pas rregullohen nga Gjykata Kushtetuese”.
E gjithashtu, në një konferencë për media, i pari i ekzekutivit është shprehur se mund të diskutojë të gjitha çështjet edhe me Listën Serbe, por që sipas tij ekziston edhe një marrëveshje midis partnerëve e firmosur në kohën kur u formua qeveria.
“Kjo nuk është qeveri që pranon kërcënime prej askujt. Unë nuk punoj me kërcënime. Kemi marrëveshje të koalicionit me të gjithë partnerët dhe Listën Serbe dhe derisa këto çështje diskutohen mund të flasim. Kjo është ajo që mund të them”, tha Hoti në një konferencë për media.
Por, a do të bjerë Hoti pre e presionit të dyfishtë që po i bëhet nga Serbia dhe pre e presionit të emisarit të Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak i cili gjatë vizitës së tij në Kosovë u shpreh se: “Kompromisi është parim shumë i mirë në negocim, nëse dua të marr diçka duhet të japë diçka”.
E sipas marrëveshjes së Brukselit, Asociacioni i Komunave me shumicë serbe: “Do të ketë një bashkësi të komunave në të cilat serbët përbëjnë shumicën e popullsisë në Kosovë. Anëtarësimi do të jetë i hapur për çdo bashkësi tjetër, me kusht që anëtarët të bien dakord për këtë”.
Pesë pikat e ardhshme të dokumentit specifikojnë mënyrën e formimit të Asociacionit, bazuar në statut, parashikohet zgjedhja e Presidentit, zëvendës- presidentit, Asamblesë dhe Këshillit, si dhe kompetencat në bazë të së cilave Asociacioni do të ketë kontroll të plotë mbi zhvillimin ekonomik dhe rural, arsimin, shëndetësinë dhe urbanizëm.
Në vitin 2015, dy vendet, nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, kanë arritur edhe një marrëveshje shtesë për parimet e themelimit e këtij Asociacioni. Por, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka konstatuar se në 23 pika të marrëveshjes, parimet nuk janë në harmoni me Kushtetutën e Kosovës, edhe pse ka thënë se ato mund të harmonizohen me një akt ligjor të Qeverisë së Kosovës. /Lajmi.net/