Arlinda i kishte shkruar edhe kryesuesit të KPK-së dhe Kryeprokurorit të Shtetit- njërit prej tyre Kryeprokurorja Vuçetaj i tha se “Rasti po trajtohet me seriozitet”
Një ditë pas ngjarjes tragjike në Vitomiricë të Pejës, ku Arlinda Zekaj u vra në shtëpinë e saj nga kunati, Albert Sylaj i cili mizorisht i mori jetën asaj duke e goditur me sëpatë në pah doli fakti se rasti i Arlindës ishte shumë më i thellë dhe ishte një neglizhencë e rëndë institucionale. E…
Lajme
Një ditë pas ngjarjes tragjike në Vitomiricë të Pejës, ku Arlinda Zekaj u vra në shtëpinë e saj nga kunati, Albert Sylaj i cili mizorisht i mori jetën asaj duke e goditur me sëpatë në pah doli fakti se rasti i Arlindës ishte shumë më i thellë dhe ishte një neglizhencë e rëndë institucionale.
E pikërisht teksa zbulohej se asaj nuk i kishin ofruar as ndihmë as siguri si policia, Prokurorja Suada Hamza, hetues të shumtë, e Kryeprokurorja Lumturije Vuçetaj, lajmi.net tentoi të marrë një përgjigje edhe nga Këshilli Prokurorial i Kosovës- të cilët me patjetër do të duhej të ishin të informuar mbi procesverbalet dhe vërejtjet e shumta që avokatja e Arlindës dhe vetë Arlinda kishin alarmuar mbi neglizhencën që po i bëhej nga prokuroret e lartcekura dhe persona të tjerë të prokurorisë në Pejë.
Madje e ndjera tanimë, Arlinda Zekaj i kishte shkruar letër edhe kryesuesit të Këshillit Prokurorial, Arian Gashi. Gashi e kishte marrë parasysh letrën e Zekajt dhe i ishte drejtuar me një kërkesë kryeprokurores së Prokurorisë Themelore në Pejë, Lumturije Vuçetaj.
Saktësisht më 21 tetor 2026, Arian Gashi i dërgoi shkresë Kryeprokurores Vuçetaj, ku thotë se nuk mori përgjigje, raporton lajmi.net.
“KPK ka pranuar një kërkesë nga zonja Arlinda Zekaj përmes së cilës ka paraqitur pretendimet e saj lidhur me veprimet ndaj lëndës së saj në Prokurorinë tuaj. Andaj, bashkangjitur me aktin ua përcjellim kërkesën në fjalë që sipas kompetencave tuaja ligjore, ta trajtoni këtë çështje”, thuhet në letrën që kryesuesi Gashi ia kishte dërguar kryeprokurores Vuçetaj.

Jo vetëm kaq.
Letër e ndjera i kishte shkruar edhe Kryeprokurorit të Shtetit, Zejnullah Gashi.
Madje sipas informacioneve të deritanishme, Gashi po ashtu i kishte shkruar dhe i ishte drejtuar Kryeprokurores së Pejës, Lumturije Vuçetaj- ku kjo e fundit i kishte kthyer përgjigje Kryeprokurorit Gashi duke thënë se “Rasti po trajtohet me seriozitetin e duhur”, ku në fakt veç seriozitet nuk kishte.
E mbi këto zhvillime, Këshilli Prokurorial i tha lajmit që informacionet të merren nga Prokuroritë përkatëse, siç ishte në këtë rast e Pejës.
“Lidhur me pyetjet tuaja ju lutem drejtojuni institucioneve përkatëse prokuroriale (Pth në Pejë apo ZKPSH)”.
Arlinda Zekaj për shumë herë radhazi kishte alarmuar institucionet përgjegjëse për rrezikun e jetës, pikërisht nga bashkëshorti Jeton Sylaj dhe familjarët e tij.
E pikërisht ishin zyrtarët policorë që në bashkëpunim me prokurorinë e Qendrën për Punë Sociale neglizhuan këtë rast dhe të njëjtën e dorëzuan pikërisht tek vrasësi, në shtëpinë e saj.
E krejt ky dështim zinxhiror institucional do të duhej që të alarmonte krerët e shtetit e që përgjegjësit të merrnin përgjegjësinë mbi vete dhe të largoheshin nga pozitat që mbajnë deri tani e që procedurat ndaj tyre veçse të fillonin.
Nga Inspektorati Policor i Kosovës thanë ditë më parë se po merren me rastin, derisa nga Kryeprokurorja Vuçetaj dhe Hamza s’pati asnjë deklarim, përpos që Zejnullah Gashi si Kryeprokuror i Shtetit mori vendim që tri lëndë t’i bartë nga ajo e Pejës në Prokurori të Shtetit.
I dyshuari për vrasjen e Arlindës, Albert Sylaj u arrestua mbrëmë në Deçan, teksa Jeton Sylaj dje u paraqit para Gjykatës së Pejës ku u vendos edhe masa e paraburgimit prej një muaji paraburgim.
Arlinda Zekaj la pas vetes një djalë 12 vjeçar derisa dje iu dha lamtumira e fundit në varrezat e fshatit Radac të Pejës.
Kryeministri Albin Kurti ka dhënë ultimatum ndaj dy ministrive, asaj të Brendshme dhe të Drejtësisë që deri nesër në ora 18:00 t’i dorëzojnë raportet për neglizhencën zinxhirore. Ai tha se detajet e këtyre raporteve do t’i ndajë edhe me publikun.
Kronologjia e rastit:
Nga raportimet për dhunë e kanosje te betejat për kujdestarinë e djalit dhe pasurinë e përbashkët, Arlinda Zekaj kërkoi vazhdimisht ndihmë nga institucionet, të paktën që nga mesi i vitit 2026.
Thirrjen e fundit e bëri vetëm pak orë para se të vritej me sëpatë, siç dyshohet, nga vëllai i bashkëshortit.
Martesa dhe jeta në Shtetet e Bashkuara të Amerikës
Arlinda Zekaj dhe Jeton Sylaj ishin të martuar për rreth 13 vjet. Kështu të paktën kishte deklaruar ajo në dokumentet policore kur kishte raportuar kanosjen nga bashkëshorti.
Pjesën më të madhe të martesës, çifti e kishte kaluar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku jetuan për rreth 11 vjet. Jeton Sylaj kishte deklaruar se është edhe shtetas amerikan.
Në deklaratën e dhënë në polici më 10 korrik 2026, Arlinda kishte thënë se gjatë jetesës në Amerikë kishte përjetuar dhunë psikologjike dhe fizike nga bashkëshorti, të cilën, sipas saj, e kishte raportuar edhe te autoritetet amerikane.
2014 – Arlinda dhe Jetoni bëhen me fëmijë
Çiftit i lind djali.
Beteja për kujdestarinë do të bëhej pjesë e një konflikti të gjatë ndërmjet Arlindës me Jetonin dhe familjen e tij.
2024 – Arlinda dhe djali kthehen në Kosovë
Arlinda dhe djali kthehen nga Shtetet e Bashkuara në Kosovë, ndërsa Jetoni vazhdon të punojë në Amerikë dhe të udhëtojë ndërmjet dy vendeve.
Çifti kishte ndërtuar një shtëpi në Vitomiricë të Pejës. Në deklarimet e saj në Prokurori, Arlinda thotë se kishte marrë edhe një kredi prej rreth 9.000 eurosh për nevojat e bashkëshortit, pa specifikuar më shumë.
Ata nuk ishin divorcuar asnjëherë ndonëse Jeton Sylaj kishte deklarur që janë ndarë “pa letra” (jo zyrtarisht) që nga viti 2025.
Dhjetor 2025 – Kërcënimet me vrasje
Raportimet e para të Arlinda Zekajt tek autoritetet e Kosovës për kërcënimet nga bashkëshorti u bënë në korrik të vitit 2026, por ato kishin të bënin me ngjarje që datonin nga dhjetori i vitit 2025.
Sipas Prokurorisë Themelore në Pejë, gjatë një bisede telefonike në dhjetor të vitit 2025, Jetoni e kishte kërcënuar Arlindën me vrasje dhe kishte kërkuar që ajo të largohej nga shtëpia.
“Kam me të mbytë, kam me të ngre zhag, as ushtria s’ka me mujtë me të hek nga dora ime”.
“Kam me të mbytë, kam me të ngre zhag, as ushtria s’ka me mujtë me të hek nga dora ime”, ishin disa nga fjalët që, sipas aktakuzës, Jetoni ia kishte drejtuar bashkëshortes.
Arlinda kishte deklaruar se ai ia kishte nxjerrë rrobat nga shtëpia, i kishte djegur dhe më pas ia kishte dërguar videon.
Ajo kishte shpjeguar edhe përse nuk i kishte raportuar menjëherë kërcënimet në vitin 2025.
“Unë tërë kohën kam menduar se Jetoni do të ndryshojë se i dhimbset djali”, kishte deklaruar ajo.
20 qershor 2026 – Djali largohet nga nëna
Djali shkon të qëndrojë te familjarët e babait, fillimisht me pëlqimin e Arlindës.
Por, sipas deklarimeve të saj, ai më pas kishte ndërprerë kontaktet me të.
Arlinda pretendonte se Jetoni kishte ndikuar te djali që të mos kthehej tek ajo.
10 korrik 2026 – Arlinda denoncon bashkëshortin në polici
Arlinda paraqitet në Policinë e Pejës, ku raporton kërcënimet e bashkëshortit dhe dhunën e pretenduar gjatë martesës.
E pyetur nëse ndihej e rrezikuar, ajo përgjigjet: “Po shumë e ndjej veten të rrezikuar nga Jetoni”.
“Po shumë e ndjej veten të rrezikuar nga Jetoni”, kishte thënë Arlinda.
Në të njëjtën periudhë, Policia zhvillon një bashkëbisedim edhe me djalin, i cili thotë se dëshiron të qëndrojë te familjarët e babait. Ai përshkruan konflikte në familjen e nënës dhe thotë se nëna i kishte bërtitur, por nuk e kishte goditur.
13–14 korrik 2026 – Deklarime të tjera në polici
Më 13 korrik, Arlinda jep deklaratë shtesë për marrëdhënien me djalin dhe përpjekjet për të rivendosur kontaktin me të.
Një ditë më vonë, më 14 korrik, Jetoni paraqitet në polici, por zgjedh të mos përgjigjet në pyetjet e hetuesve në atë fazë, duke thënë se deklaratë do të japë vetëm në Prokurori.
“Unë mendoj se jam i pafajshëm”, deklaron ai.
17–23 korrik 2026 – Kallëzimi penal dhe deklaratat në Prokurori
Më 17 korrik, Policia përpilon kallëzim penal lidhur me kërcënimet ndaj Arlindës. Prokuroria e pranon kallëzimin më 20 korrik.
Më 23 korrik 2026, Jetoni jep deklaratë në Prokurori, ku pretendon se ishte ndarë nga Arlinda rreth një vit më parë, por se martesa nuk ishte zgjidhur ligjërisht.
“Ne jemi ndarë […] mirëpo nuk jemi nda me letra”, thotë ai.
Sipas aktakuzës, Jetoni pranon se kishte përdorur fjalët kërcënuese ndaj Arlindës, por përpiqet t’i arsyetojë ato me konfliktin për djalin.
“Arlinda nuk duhet të ndjehet e rrezikuar nga unë në asnjë mënyrë”, kishte thënë Jetoni.
“Arlinda nuk duhet të ndjehet e rrezikuar nga unë në asnjë mënyrë”,- kishte shtuar ai në deklaratën e dhënë në Prokurori.
Po më 23 korrik, djali kërkon urdhër mbrojtjeje ndaj nënës së tij, duke shprehur dëshirën që të mos ketë kontakt me të.
Në raportin e Policisë thuhet se, sipas djalit, “nëna e tij po i bën stres”.
Megjithatë, raporti psikologjik thekson se djali nuk kishte përshkruar dhunë fizike nga nëna dhe se nuk e kuptonte plotësisht kuptimin e urdhrit të mbrojtjes.
5 shtator 2026 – Jeton Sylaj largohet për në SHBA
Sipas raportit të Qendrës për Punë Sociale, Jetoni largohet nga Kosova drejt Shteteve të Bashkuara, ndërsa djali mbetet nën përkujdesjen e familjarëve të tij.
Kjo rrethanë merret më vonë parasysh gjatë shqyrtimit gjyqësor për kujdestarinë e fëmijës.
7–9 shtator 2026 – Arlinda kërkon mbrojtje nga gjykata
Më 7 shtator, Arlinda kërkon urdhër mbrojtjeje emergjente ndaj Jetonit, nën pretendimin për dhunë në familje.
Gjykata e miraton pjesërisht kërkesën.
Dy ditë më vonë, përmes përfaqësuesve ligjorë, Arlinda kundërshton vendimin dhe kërkon masa të tjera mbrojtëse, përfshirë kujdestarinë e djalit.
22 shtator – 5 tetor 2026 – Beteja për kujdestarinë
Qendra për Punë Sociale shqyrton rrethanat familjare dhe rekomandon që djali të qëndrojë me nënën, duke marrë parasysh se babai ndodhej në Shtetet e Bashkuara.
Megjithatë, Qendra rekomandon edhe përgatitjen psikologjike të fëmijës për kalimin te nëna, për shkak të kundërshtimit të tij ndaj këtij ndryshimi.
Gjatë procesit gjyqësor shqyrtohen raportet psikologjike dhe deklarimet e palëve.
16 tetor 2026 – Gjykata vendos në favor të Arlindës
Gjykata Themelore në Pejë kishte lëshuar urdhër mbrojtjeje urgjent gjashtë-mujor ndaj Jetonit.
Gjykata Themelore në Pejë lëshon urdhër mbrojtjeje urgjent gjashtë-mujor ndaj Jetonit.
Arlindësi mundësohet shfrytëzimi i shtëpisë së përbashkët dhe i besohet përkohësisht kujdestaria e djalit.
Vendimi ia ndalon Jetonit t’i afrohet më shumë se 2 metra brenda shtëpisë si dhe kërcënimin apo shqetësimin e Arlindës.
Në ambiente të tjera, sipas vendimit të Gjykatës, distanca duhet të jetë rreth 20 metra.
Jetoni obligohet të paguajë 150 euro në muaj si alimentacion për fëmiun.
Urdhri hyn në fuqi menjëherë dhe parashihet të vlejë deri më 16 prill 2027.
22 tetor 2026 – Arlinda ankohet për dështimin e institucioneve
Arlinda i drejtohet kryeprokurores së Pejës, duke u ankuar për mënyrën se si institucionet kishin trajtuar rastet e saj dhe për moszbatimin e vendimit gjyqësor.
Sipas Prokurorisë, prokurori kujdestar vlerëson se kthimi i menjëhershëm në shtëpi mund t’ia rrezikonte jetën.
Ai e udhëzon të qëndrojë te vëllezërit dhe planifikon që kthimi i saj në shtëpi të bëhej me shoqërim policor.
23 tetor 2026 – Aktakuza ndaj Jeton Sylajt
Aktakuza ndaj Jeton Sylës për kanosje ndaj bashkëshortes Arlinda Zekaj.
Prokuroria Themelore në Pejë ngre aktakuzë ndaj Jeton Sylajt për veprën penale të kanosjes në marrëdhënie familjare, lidhur me kërcënimet e dhjetorit 2025.
Në aktakuzë thuhet se Jetoni kishte pranuar përdorimin e fjalëve kërcënuese, ndërsa Prokuroria vlerëson se konflikti për djalin nuk e arsyetonte sjelljen e tij.
Varësisht nga rrethanat, sipas Kodit Penal të Kosovës, për veprën e kanosjes dënimi nga gjykata mund të jetë me gjobë ose burgim deri në një vjet.
23 tetor 2026 – Policia kërkon mbikëqyrje të shtuar për sigurinë e Arlindës
Më 23 tetor, në orën 19:53, një zyrtar policor u dërgon një email drejtuesve të Policisë në Pejë, duke kërkuar masa shtesë për sigurinë e Arlindës.
Në emailin drejtuar disa zyrtarëve policorë që e ka siguruar Radio Evropa e Lirë, ai thekson se Arlinda ishte viktimë e dhunës në familje dhe se rasti i saj ishte trajtuar nga Sektori i Hetimeve për Dhunën në Familje, si dhe nga Gjykata Themelore në Pejë.
Polici shkruan se Arlinda kishte shkuar në shtëpinë e saj në Vitomiricë, pas rrethanave të reja të krijuara, por se gjendja mbetej e tensionuar.
“Edhe mbremë ka pas rrethana dhe situatë acaruese brenda shtëpisë ku tani gjendet viktima”, thuhet në email.
Ky zyrtar policor kërkon që patrullat policore të vizitojnë në baza ditore Arlindën në shtëpi dhe të mbajnë komunikim të rregullt me të.
Emaili i hetuesit policor që kërkon mbrojtje shtesë për Arlinda Zekajn.
“Ju lutem që kërkesën time ta merrni parasysh, sepse e konsideroj që një veprim i tillë do ishte i mirëseardhur edhe për vetë viktimën”, përfundon emaili i tij.
Policia nuk ka bërë të ditur se sa është respektuar kërkesa e zyrtarit policor.
25 tetor 2026 – Denoncimi i fundit
Arlinda raporton sërish dhunë në familje. Bashkëshorti i saj, prej tw cilit ishte ndarë, ndalohet për 48 orë, ndërsa ajo këmbëngul që të kthehet në shtëpinë e përbashkët, në përputhje me vendimin gjyqësor.
Gjatë marrjes së deklaratës, Policia e pyet nëse dëshiron të vendoset në një strehimore.
“Nuk e ndi vetën të sigurt sa duhet, por nuk heq dorë nga djali dhe pasuria ime”.
“Jo unë nuk pranoj që të shkoj në strehimore, une dua të shkoj në shtëpinë time”, përgjigjet Arlinda.
E pyetur nëse ndihet e sigurt në shtëpi, duke qenë se aty ndodheshin familjarët e Jetonit, ajo pranon se siguria e saj mbetej e cenuar, por këmbëngul në të drejtat e saj.
“Nuk e ndi veten te sigurt sa duhet por nuk heq dorë nga djali dhe pasuria ime. Shteti ka pasur obligim dhe e ka për t’i larguar uzurpatorët nga shtëpia ime”, deklaron ajo.
Arlinda Zekaj dyshohet se u vra nga kunati i saj deri sa ishte në betejë ligjore për dhunë në familje me bashkëshortin e saj.
25 tetor 2026, rreth orës 21:00 – Vrasja e Arlinda Zekajt
Arlinda Zekaj vritet në Vitomiricë të Pejës, pak minuta pasi kthehet në shtëpinë e përbashkët, e shoqëruar nga Policia e Kosovës.
Sipas Prokurorisë, ajo dyshohet se është vrarë me një mjet të fortë nga kunati i saj, A.S. i cili në kohën e raportimit ishte në arrati. Dorasi i dyshuar u arrestua mbrëmjen e 27 tetorit në Deçan.
Vrasja ndodhi nëntë ditë pas vendimit gjyqësor që i kishte mundësuar Arlindës kthimin në shtëpi, tri ditë pas ankesës së saj për dështimet institucionale dhe dy ditë pas paralajmërimit të një zyrtari policor për nevojën e masave shtesë të sigurisë./Lajmi.net/


