Arkitekti i Katedrales së Këlnit: Rindërtimi i Notre Dame do të zgjasë disa dekada

Arkitekti i njohur i Katedrales së Këlnit, Peter Fuessenich vlerëson se rindërtimi pas zjarrit në katedralen e Notre Dame në Paris do të zgjasë me dekada.

Bota

16/04/2019 14:32

“Për të thënë se sa do të zgjasë rindërtimi dhe se sa do të kushtojë është njësoj si të parashikosh fatin”, tha Peter Fuessenich.

“Vetëm duke parë imazhet televizive, e dimë se nuk do të jenë vetëm vite derisa dëmi i fundit të eliminohet, por që do të vazhdojë për dekada me radhë. Ditët e ardhshme do të jenë vendimtare”, tha eksperti.

Harqet e gurit poshtë çatisë së djegur janë ngjyrosur me ujin e përdorur për të shuar zjarrin.

“Kjo bëri që të kishte shumë peshë në tavanet e harkuar. Na duhet të presim në ditët në vazhdim për të parë nëse harqet do ta përballojnë këtë peshë,” tha ai, transmeton ATSH.

Shkatërrimi i harqeve të çatisë së Notre Dame ishte një humbje shumë e madhe, veçanërisht sepse origjina e tyre ishte më së shumti nga shekulli 13.

“Katedralja e Këlnit ka një çati me harqe prej hekuri të shekullit 19, krahasuar me ato të drurit ajo nuk digjet menjëherë, por nëse bie një zjarr i madh, atëherë gjithashtu dhe ajo ka pasoja dhe mund të deformohet”, tha Fuessenich.