Arkitektët e Kosovës premtojnë luftimin e degradimit të qyteteve

Asociacioni i Arkitektëve të Kosovës, në Kuvendin e pestë të tij, ka zgjedhur sot edhe kryesinë e re, me ç’rast kanë thënë se do të luftojnë në mbrojte të interesit të profesionit dhe atij publik, luftimin e dukurive negative që kanë shkaktuar krimin urbanistik dhe luftimin kundër degraduesve të qyteteve, profesionit dhe trashëgimisë kulturore.

Lajme

11/01/2015 20:18

Kjo kryesi e re, sipas një njoftimi për media të këtij asociacioni, është zgjedhur në përputhje me dispozitat ligjore dhe statusore. 

Organet e këtij asociacioni, do të kenë mandat trevjeçar Janar 2015 – Dhjetor 2018.

“Kryetari i Asociacionit të Arkitektëve të Kosovës u zgjodh Eljesi Surdulli kurse si zëvendëskryetare u zgjodh Flora Bajraktari, dhe sekretar u zgjodh Bujar Prestreshi. Anëtarët tjerë të kryesisë, anëtarët ex-officio dhe kryesues të komisioneve u zgjodhën arkitektët shquar në Kosovë dhe me gjerë si Arben Ulqinaku, Faton Ispahiu, Fadil Dalipi, Kujtim Asllani, Valon Gërmzaj, Uran Kyçyku, Astrit Çitaku and Petrit Pasha”, thuhet në një njoftim të dërguar në media nga ky asociacion.

Në njoftim po ashtu thuhet se asociacioni ka zgjeruar rrjetin e vet të bashkëpunimit edhe me organizata të huaja dhe me arkitektë që punojnë jashtë Kosovës. Gjithashtu, në këtë kuvend është prezantuar edhe raporti vjetor dhe ai trevjeçar, financiar, të arriturat dhe programi i Asociacionit.

“U vlerësua lartë puna e kryesisë së deritanishme e cila përkundër shumë sfidave që është përballur ka arritur suksese të larta në interes të profesionit dhe atij publik, dhe mbrojtja e trashëgimisë kulturore dhe arkitekturore”, thuhet në njoftim