Arkeologë nga Kosova, Franca e Italia tash e disa javë po gërmojnë në “Ulpianë”

Një grup i madh arkeologësh e punonjës të tjerë shkencorë janë duke punuar në këtë hapësirë, kuadro të Universitetit të Prishtinës, Institutit Arkeologjik të Kosovës, Universitetit “Ecole Normale Supérieure” nga Parisi dhe “La Sapienza” të Romës, duke gërmuar tash e disa javë në lokalitetin Arkeologjik Ulpiana. Kështu ka shkruar ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, i…

Lajme

18/08/2022 23:44

Një grup i madh arkeologësh e punonjës të tjerë shkencorë janë duke punuar në këtë hapësirë, kuadro të Universitetit të Prishtinës, Institutit Arkeologjik të Kosovës, Universitetit “Ecole Normale Supérieure” nga Parisi dhe “La Sapienza” të Romës, duke gërmuar tash e disa javë në lokalitetin Arkeologjik Ulpiana.

Kështu ka shkruar ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, i cili ka parë nga afër punën profesionale që po bëhet në kuadër të kërkimeve arkeologjike që po bëhen në Parkun Arkeologjik Ulpiana.

“Mbështetja financiare IPA II e Bashkimit Evropian e ka fuqizuar punën e institucioneve tona në këtë aset të rëndësisë botërore. Nga Christophe Goddard, përfaqësues i Universitetit “Ecole Normale Supérieure” në Paris dhe arkeologët tanë Arben Hajdari e Milot Berisha, u informova për ecurinë e punës, gjetjet e deritanishme dhe fazat e ardhshme”, ka shkruar ai.

“Ky program po realizohet pas nënshkrimit të marrëveshjes së bashkëpunimit ndërmjet Ministrisë së Kulturës, Universitetit të Prishtinës, Ambasadës së Francës në Kosovë dhe Shkollës së Lartë Normale, Universiteti i Parisit, përmes të cilit lokaliteti arkeologjik Ulpiana përfiton mbështetje profesionale për kërkime arkeologjike, duke thelluar edhe shkëmbimin profesional me shtetin francez”, ka shkruar ai në Facebook.