Arifi: Sikur LVV t’i kishte 53%, të dielën në ora 21 i kishim marrë rezultatet

Analisti politik, Avni Arifi ka deklaruar se problemet e shfaqura me sistemin e numërimit të votave në KQZ, nuk do të ekzistonin sikur Lëvizja Vetëvendosje do t’i fitonte 53% të votave. Në Rubikon të Klan Kosovës, ai tha se probleme janë shfaqur edhe te ngjyra në gisht, pasi disave u është fshirë menjëherë, e disave…

Lajme

12/02/2025 21:52

Analisti politik, Avni Arifi ka deklaruar se problemet e shfaqura me sistemin e numërimit të votave në KQZ, nuk do të ekzistonin sikur Lëvizja Vetëvendosje do t’i fitonte 53% të votave.

Në Rubikon të Klan Kosovës, ai tha se probleme janë shfaqur edhe te ngjyra në gisht, pasi disave u është fshirë menjëherë, e disave as pas katër ditësh jo.

“A është cenuar procesi zgjedhor? Po. Sikur LVV t’i kishte 53%, kur do t’i kishim rezultatet? Ekziston bindja që të dielën në orën 21 do t’i kishim rezultatet. Sepse atëherë nuk kish dështu sistemi. Gjithkush që është afër këtij procesi e ka pak a shumë këtë vlerësim. Institucionet e pavarur janë përgjegjësi e dikujt. Këtu sistemi nuk po funksionon, ka dështuar. Shihe ngjyrën, tash e katër ditë nuk hiqet. E pastron me alkool, por nuk hiqet. Dikujt i është hequr e dikujt jo. Kjo është shumë interesant”, deklaroi Arifi.

Ilir Deda ndërkaq tha se partitë opozitare nuk po duan t’i hedhin zjarr atmosferës së krijuar pas zgjedhjeve me situatën e krijuar në KQZ me numërimin e votave.

“Prej asaj nate kur në mënyrën më të padinjitetshme të mundshme fituesi del e shan gjysmën e popullit të vet, e më tutje sheh se çka po bëjnë, partitë opozitare po i përmbahen pikërisht asaj që kanë thënë, ata duan Kosovë tjetër, pa polarizim bashkëpunues, dhe dorën duhet me ua zgjat”.

“Kjo e tregon ndarjen mes dy Kosovave: Një Kosove që veç po urren, po shpif e po shan, dhe një Kosovë që po dëshiron të jetë Kosovë e përparimit”, u shpreh Deda.