Avokati Arianit Koci ka bërë të ditur se në orët e hershme të mëngjesit ka marrë informatën për vdekjen e bashkëshortes së njërit prej klientëve të tij, i cili ndodhet në paraburgim, duke e cilësuar rastin si jashtëzakonisht të ndjeshëm dhe që kërkonte veprim të menjëhershëm.
Sipas Kocit, lajmi i është komunikuar rreth orës katër të mëngjesit, në kohën kur ai ndodhej në Londër. Megjithatë, ai thekson se distanca nuk ishte justifikim për mungesë reagimi, pasi përgjegjësia profesionale ndaj klientit, sipas tij, nuk njeh orar, raporton lajmi.net
Avokati ka sqaruar se sfida kryesore ishte mënyra se si do t’i komunikohej lajmi i rëndë bashkëshortit të ndjerë, një burrë në moshë të shtyer dhe me probleme serioze shëndetësore, i cili ndodhet në Burgun e Sigurisë së Lartë. Për këtë arsye, ai ka kontaktuar drejtpërdrejt drejtorin e Shërbimit Korrektues të Kosovës, Ismajl Dibrani, si dhe drejtorin e Burgut të Sigurisë së Lartë, Rasim Selmani.
Postimi i plotë:
Vdiq. Pak para mëngjesit mora informatën se ka ndërruar jetë gruaja e klientit tim, i cili ndodhet në paraburgim.
Ishte rreth orës katër të mëngjesit.
U shqetësova. Jam në Londër, dhe situata kërkonte veprim të menjëhershëm, në një moment jashtëzakonisht të ndjeshëm.
Në raste të tilla, distanca nuk është justifikim. Përgjegjësia ndaj klientit nuk ka orar.
Në anën tjetër, nuk e ndiej si barrë këtë angazhim. Përkundrazi, ndihem mirë sa herë që mund të jem i dobishëm dhe të ndihmoj.
Çështja kryesore ishte mënyra se si do t’i komunikohej lajmi bashkëshortit në burg; një burrë në moshë të shtyer, me probleme serioze shëndetësore. Një lajm i tillë kërkon kujdes maksimal dhe përgjegjësi njerëzore.
Rrethanat ishin të jashtëzakonshme. Mora vendim ta kontaktoj drejtorin e Shërbimit Korrektues, Ismajl Dibrani. Ia prisha gjumin dhe e informova për rastin.
Më pas vazhdova komunikimin edhe me drejtorin e Burgut të Sigurisë së Lartë, Rasim Selmani.
U koordinuam për mënyrën se si do t’i komunikohej lajmi klientit tim. U trajtuan edhe çështje të tjera të ndjeshme, që nuk janë për publikun. Paralelisht, u informua edhe gjyqtari i rastit Rrahman Beqiri. I njejti menjëherë e lejoi komunikimin me telefon lidhur me procedurat e varrimit.
Të gjitha veprimet u zhvilluan brenda kornizës ligjore dhe institucionale, pa asnjë devijim procedural.
Por ka momente kur ligji, edhe pse i zbatuar saktë, nuk mjafton i vetëm. Në këtë rast, krahas përmbushjes së plotë të procedurave ligjore, u tregua edhe ndjeshmëri njerëzore.
U kuptua pesha e situatës, u mor parasysh gjendja shëndetësore e klientit dhe u veprua me kujdes, dinjitet dhe respekt.
Mos harroni, institucioni nuk matet vetëm me rregulla dhe hierarki. Matet me mënyrën se si sillet kur përballë ka njeriun në momentin më të rëndë të jetës së tij.
Pikërisht këtu, reagimi i drejtuesve ishte human dhe me përgjegjësi – duke e respektuar kornizën ligjore në tërësi.
Për këtë arsye, i falënderoj publikisht Ismajl Dibranin, Rasim Selmanin dhe Rrahman Beqirin – për profesionalizmin dhe humanizmin e treguar.
Në një situatë të rëndë, reaguan si drejtues që e kuptojnë se pushteti institucional bart edhe përgjegjësi njerëzore.
PS
Kritikoj kur ka arsye. Po ashtu, e shpreh falënderimin publik sa herë që institucionet dhe zyrtarët shtetërorë bëjnë punën siç duhet – me profesionalizëm dhe me ndjeshmëri njerëzore./Lajmi.net/