Arianit Koci në Hagë: Dje nuk jam lejuar ta kryej detyrën time si duhet

Avokati Arianit Koci, i cili përfaqëson dëshmitarin Halil Çadraku në Hagë, në fillim të seancës së të enjtes në çështjen ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, ka thënë se ka përshtypjen që të mërkurën nuk është lejuar që ta kryejë detyrën e tij si…

Lajme

28/11/2024 10:35

Avokati Arianit Koci, i cili përfaqëson dëshmitarin Halil Çadraku në Hagë, në fillim të seancës së të enjtes në çështjen ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, ka thënë se ka përshtypjen që të mërkurën nuk është lejuar që ta kryejë detyrën e tij si duhet.

Ai tha se në kohën kur u mor në pyetje klienti i tij nga gjyqtari Guénaël Mettraux, ai si avokat e kishte ngritur dorën disa herë por që thjesht është injoruar, raporton “Betimi për Drejtësi“.

“Kam përshtypjen që dje nuk jam lejuar ta kryej detyrën time si duhet. Gjatë marrjes në pyetje të klientit tim kur gjyqtari Mettraux ishte duke e marrë në pyetje, e kam ngritë disa herë dorën. Jam injoru thjesht dhe nuk keni marrë vendim me ma ndalu pyetjen. Qëllimi im ka qenë që ta parandaloj që publikisht në kamera të flitet për dënimin e tij për armëmbajtje pa leje, dënim i cili sipas ligjit është i rehabilitum dhe së paku nuk duhet të flitet në publik për këtë çështje. Këtë vërejtje e bëra dhe nuk kam prit që kjo të del publikisht në kamera. Kërkoj që të hiqet kjo”, tha avokati Koci.

Ndër tjerash, avokati Koci kërkoi që klienti i tij të trajtohet me dinjitet dhe ndjeshmëri.

“Është hap tema e dënimit të Salih Veselit. Gjyqtari, po parafrazoj që ka thënë ‘Salih Veseli është dënu’, klienti im ka thënë që ai është dënu, por më vonë është liru. Gjyqtari me një pyetje me nënkuptim të përgjigjes ka thënë ‘po veç pastaj prapë është dënu’. Prej këtij pozicioni të autoritetit të gjyqtarit dhe prej pozicionit që është klienti im, ky ka thënë nuk e di edhe pse në fillim ka thënë që është liru. Unë kam dashtë me e vërtetu këtë çështje e nuk kam reagu menjëherë. Unë e kam vërtetu sot përfundimisht që Salih Veseli ishte i liruar. Dje e pash në burime publike. Prandaj, kërkoj që me një dinjitet dhe ndjeshmëri për shkak të pozicionit që e ka klienti im të trajtohet në atë formë. Kërkoj falje për këtë ndërhyrje time, por besoj që kjo ka qenë detyra ime”, tha ai.

Ndërsa, kryetari i trupit gjykues, Charles Smith III tha se nuk mohohet fakti që Salih Veseli është dënuar njëherë edhe pse është liruar më vonë.

“Pyetja që është bërë dje ishte ‘a është dënuar’, përgjigjja është që ‘po është dënuar’. Fakti që është liruar më vonë nuk e ndryshon faktin që zotëria është dënuar njëherë”, tha Smith.

Edhe pse dje paralajmëroi se ka pyetje, Zyra e Prokurorit të Specializuar sot njoftoi që i ka përfunduar pyetjet e saj për dëshmitarin Çadraku. Ndërsa, për t’i bërë disa pyetje tjera sqaruese vazhdoi sot ekipi mbrojtës i Veselit, përmes avokatit Rodney Dixon.