Arianit Koci avokat i Shkëlzen Gashit: Bastisja u krye pa urdhër të gjykatës, ngutia e organeve shtetërore e kontaminon çështjen penale

Avokati Arianit Koci ka bërë të ditur përmes një postimi në Facebook se ka marrë përsipër mbrojtjen juridike të Shkëlzen Gashit, rast ky që, sipas tij, ka ngjallur reagime të forta publike për shkak të ndjeshmërisë që përmban. Koci ka ngritur shqetësime lidhur me mënyrën se si është kryer bastisja në shtëpinë e Gashit, duke…

Lajme

02/04/2026 11:16

Avokati Arianit Koci ka bërë të ditur përmes një postimi në Facebook se ka marrë përsipër mbrojtjen juridike të Shkëlzen Gashit, rast ky që, sipas tij, ka ngjallur reagime të forta publike për shkak të ndjeshmërisë që përmban.

Koci ka ngritur shqetësime lidhur me mënyrën se si është kryer bastisja në shtëpinë e Gashit, duke theksuar se ajo është realizuar pa urdhër të gjykatës. Sipas tij, gjatë kontrollit i është prezantuar vetëm një autorizim i prokurorit për mbledhjen e provave, i cili, siç thotë ai, nuk mund të zëvendësojë një vendim gjyqësor për bastisje.

Ai ka shtuar se dokumenti në fjalë përbën komunikim intern mes Prokurorisë Speciale dhe Policisë së Kosovës dhe nuk përmbush standardet kushtetuese për ndërhyrje në banesë. Duke iu referuar nenit 36 të Kushtetutës, Koci ka theksuar se bastisja, konfiskimi dhe ndërhyrjet në komunikime lejohen vetëm me vendim gjyqësor, përveç rasteve urgjente, të cilat sipas tij nuk ekzistojnë në këtë rast.

Avokati ka vlerësuar se mënyra e realizimit të bastisjes dhe “ngutia e paarsyeshme” e organeve shtetërore e dëmton që në fillim çështjen penale të pretenduar.

Në fund, Koci ka theksuar se procedimi penal ndaj një personi për një ekspozitë publike, e cila sipas tij është financuar nga Kuvendi i Kosovës dhe ka pasur leje nga Komuna e Prishtinës, përbën një precedent të rrezikshëm për lirinë e shprehjes dhe veprimtarinë publike në vend.

Ndërkohë, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, është duke zhvilluar veprime hetimore lidhur me rastin e ekspozitës “Masakrat në Kosovë 1998–1999”, e vendosur në sheshin “Nënë Tereza” në Prishtinë.

Sipas njoftimit zyrtar, në kuadër të këtyre hetimeve është intervistuar Shkëlzen Gashi nën dyshimin për veprën penale “Nxitja e përçarjes dhe mosdurimit”. Po ashtu, në vendbanimin e tij është realizuar një kontroll nga hetuesit e Departamentit për Krime të Rënda, me qëllim sigurimin e provave relevante për hetimin. /Lajmi.net/