Ardian Gjini: Teksti i mocionit gati, sot konsultimet me LDK e VV

Ardian Gjini i AAK'së thotë për lajmi.net se është bërë gati një tekst për mocion të mosbesimit ndaj Qeverisë Thaçi. Ai pohon se sot do të ketë takime me partitë tjera opozitare që të konsultohen për këtë nismë. Çka thotë Kushtetuta për mocionin?

Lajme

13/02/2014 13:30

Shefi i Grupit Parlamentar të AAK’së ka thënë se gjatë ditës së sotme AAK do të fillojë konsultimet me partitë opozitare të përfaqësuara në Kuvend për të nisur një mocion votëbesimi ndaj Qeverisë së Kosovës.

Gjini ka thënë për lajmi.net se AAK ka bërë gati një tekst të këtij mocioni të cilin pritet gjatë ditës ta konsultojë me LDK’në dhe Vetëvendosjen.

“Nënshkrimet nuk kemi filluar që t’i mbledhim.”

“Kemi bërë gati një tekst mocioni, por gjithsesi do të koordinohemi me partitë tjera opozitare, në mënyrë që të jetë iniciativë e përbashkët e opozitës së bashku me Aleancën”.

“Konsultimet do të fillojnë sot”, ka thënë Ardian Gjini për lajmi.net.

Kushtetuta e Republikës së Kosovës, në Nenin 100, parasheh që një mocion mosbesimit ndaj Qeverisë mund të ngrihet me propozimin e një të tretës (1/3) të të gjithë deputetëve të Kuvendit.

Sipas Kushtetutës, Mocioni i mosbesimit vihet në rendin e ditë të Kuvendit, jo më vonë se pesë (5) ditë e as më herët se dy (2) ditë nga data e parashtrimit të tij.

“Ky mocion konsiderohet se mocioni i mosbesimit është pranuar, nëse për të kanë votuar shumica e të gjithë deputetëve të Kuvendit të Kosovës”.

“Nëse mocioni i mosbesimit dështon, mocioni tjetër i mosbesimit nuk mund të ringrihet gjatë nëntëdhjetë (90) ditëve të ardhshme”.

“Nëse mocioni i mosbesimit votohet për Qeverinë në tërësi, Qeveria konsiderohet në dorëheqje”, thotë Neni 100 i Kushtetutës së Republikës së Kosovës.