Arda Maloku jep detaje për incidentin me Fikrim Damkën në ditën e zgjedhjeve: Më kapi nga krahët, më shtyu dhe më kërcënoi

Deklaratat e kryetarit të KDTP’së dhe ministrit të MZHR-së, Fikrim Damka lidhur me incidentin më 9 shkurt në Prizren janë kundërshtuar nga njëra prej protagonisteve të kësaj ngjarjeje, përkatësisht viktimës Arda Maloku. Ajo ka thënë se Damka kishte filluar të bërtiste e më pas e kishte kapur nga krahu, e kishte shtyrë dhe e kishtë…

Lajme

12/03/2025 12:28

Deklaratat e kryetarit të KDTP’së dhe ministrit të MZHR-së, Fikrim Damka lidhur me incidentin më 9 shkurt në Prizren janë kundërshtuar nga njëra prej protagonisteve të kësaj ngjarjeje, përkatësisht viktimës Arda Maloku.

Ajo ka thënë se Damka kishte filluar të bërtiste e më pas e kishte kapur nga krahu, e kishte shtyrë dhe e kishtë kërcënuar.

Sipas saj Damka është përpjekur ta fshehë të vërtetën e ngjarjes.

“Më 9 shkurt në mbrëmje, ndodheshim në Parkun e Dëshmorëve në lagjen Kurillë, së bashku me disa miq që ishin kandidatë për deputetë. Kishte mbetur edhe pak kohë deri në mbylljen e kutive të votimit. Në atë moment, një mik tjetër imi, Muharrem Jable (i cili nuk ka asnjë lidhje me YTHP) ndodhej aty dhe po bisedonim për zgjedhjet. Përballë parkut, para zyrës së KDTP-së, kishte një turmë njerëzish. Në atë çast, aty mbërriti Fikrim Damka dhe, sapo turma e pa atë, u drejtua menjëherë në drejtimin tonë, në park. Ngjarja filloi kur Damka iu afrua me qëllim Muharrem Jable-s. Unë isha në pjesën e përparme dhe, sapo Damka më pa, filloi të bërtiste, më kapi nga krahët, më shtyu dhe më kërcënoi. Nuk më intereson se çfarë problemi ka Damka me Muharremin dhe kjo nuk ka të bëjë as me mua e as me komunitetin turk. Por ky veprim i tij nuk ka asnjë justifikim! Në deklaratën e tij, ai përpiqet ta fshehë të vërtetën e ngjarjes duke e quajtur një kurth. Në pamjet filmike shihet qartë se kush ka ardhur drejt parkut”, ka thënë Maloku.

Maloku shtoi se kryeprokurori ka thënë se ka dyshime për dhunë ndaj një gruaje dhe kërcënim dhe se ka pasur pamje nga vendngjarja.

“Të gjithë dhanë dëshmitë e tyre. Po atë natë, Prokurori mori vendim për arrestim. Të nesërmen, Kryeprokurori, në deklaratën për shtyp, tha se ekziston dyshimi për dhunë ndaj një gruaje dhe për kërcënim dhe se pas dëshmive dhe pamjeve të marra nga vendngjarja ishte marrë vendimi për “ndalim”. Ai theksoi gjithashtu se kjo ngjarje nuk lidhet me politikën apo zgjedhjet, por mund të jetë një konflikt personal. Atëherë si mund të pretendohet se ky është një kurth kundër komunitetit turk dhe Damkës?”, tha ajo.