Arbër Ismajli për Kuvendin e LDK-së: Nuk ka qenë domosdoshmëri në këtë moment politik, nuk pres ndryshime në drejtimin e partisë
Debatet rreth Kuvendit të LDK-së kanë nxitur reagime dhe qëndrime të ndryshme brenda partisë, ndërsa një nga çështjet kryesore mbetet nevoja dhe pritshmëritë nga ky proces. Në prag të mbajtjes së Kuvendit, zyrtarë të LDK-së kanë ndarë vlerësimet e tyre për rëndësinë e tij, ndikimin në konsolidimin e partisë dhe mesazhin që pritet t’u përcillet…
Lajme
Debatet rreth Kuvendit të LDK-së kanë nxitur reagime dhe qëndrime të ndryshme brenda partisë, ndërsa një nga çështjet kryesore mbetet nevoja dhe pritshmëritë nga ky proces.
Në prag të mbajtjes së Kuvendit, zyrtarë të LDK-së kanë ndarë vlerësimet e tyre për rëndësinë e tij, ndikimin në konsolidimin e partisë dhe mesazhin që pritet t’u përcillet qytetarëve.
Në këtë kontekst, anëtari i LDK-së, Arbër Ismajli, në një prononcim për Lajmi.net ka thënë se, sipas tij, mbajtja e Kuvendit nuk ka qenë domosdoshmëri në këtë moment politik, megjithatë tani pret që ai të shërbejë si një proces që forcon unitetin dhe konsolidimin institucional të partisë.
“Nga këndvështrimi im, mbajtja e këtij Kuvendi nuk ka qenë domosdoshmëri në këtë moment politik, pasi konsideroj se vendimet dhe legjitimiteti i dalë nga Kuvendi i 31 janarit kanë qenë të mjaftueshme për të vazhduar proceset e brendshme të LDK-së. Ndoshta koha do të ishte më e përshtatshme që energjia jonë të fokusohej në konsolidimin e strukturave dhe përgatitjen për sfidat politike që na presin”, tha Ismajli.
Ai shtoi se, pavarësisht rezervave që ka pasur për kohën e mbajtjes së Kuvendit, pret që ky proces të jetë në funksion të bashkimit të partisë dhe forcimit të saj.
“Megjithatë, tani që Kuvendi do të mbahet, pres që ai të shërbejë si një moment reflektimi, maturie politike dhe konsolidimi institucional. Lidhja Demokratike e Kosovës ka një traditë të gjatë demokratike dhe pikërisht kjo traditë duhet të dëshmohet edhe në këtë proces. Pavarësisht debatit apo dallimeve në mendime, Kuvendi duhet të prodhojë unitet, besim dhe një orientim të qartë politik për të ardhmen”, u shpreh ai.
Duke folur për pritshmëritë nga rezultatet e Kuvendit, Ismajli tha se nuk pret ndryshime të mëdha në drejtimin e partisë, ndërsa nënvizoi rëndësinë e respektimit të vendimeve që do të merren.
“Personalisht, nuk pres ndryshime substanciale në përbërjen apo drejtimin politik të LDK-së. Çfarëdo rezultati që të prodhojë ky Kuvend, ai duhet të respektohet nga secili prej nesh që e konsideron veten pjesë të familjes politike të LDK-së. Legjitimiteti i vendimeve të institucioneve të partisë është themeli mbi të cilin ndërtohet besueshmëria dhe stabiliteti politik”, deklaroi ai.
Në fund, Ismajli u ndal edhe te ndikimi që mund të ketë Kuvendi në skenën politike, duke theksuar se suksesi i tij nuk do të varet nga emrat, por nga mesazhi që LDK-ja do t’u përcjellë qytetarëve.
“Sa i përket ndikimit në skenën politike, besoj se efekti i këtij Kuvendi nuk do të matet nga emrat që do të dalin prej tij, por nga mesazhi që LDK-ja do t’u përcjellë qytetarëve. Nëse Kuvendi demonstron unitet, përgjegjësi dhe vizion të qartë, atëherë ai do ta forcojë pozitën e LDK-së si alternativë serioze qeverisëse. Në fund të fundit, mbi çdo ambicie individuale duhet të mbizotërojë interesi i Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe përgjegjësia jonë e përbashkët për ta bërë atë sa më të fuqishme”, përfundoi Ismajli.
LDK ka njoftuar se Kuvendi i Jashtëzakonshëm i kësaj partie do të mbahet të enjtën më 30 korrik duke filluar nga ora 18:00.
Kjo është bërë e ditur përmes një njoftimi në rrjetin social Facebook.
“Në zbatim të detyrimeve statutare dhe pa asnjë vonesë pas përfundimit të procesit të verifikimit, Kryetari i LDK-së ka vendosur që Kuvendi i Jashtëzakonshëm të mbahet të enjten, më 30 korrik 2026, me fillim nga ora 18:00”, thuhet në njoftim./Lajmi.net/