Arben Gashi: Vetëvendosje po e çon vendin drejt kolapsit institucional – LDK mbetet forca e zgjidhjes
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Arben Gashi, ka reaguar ashpër ndaj sjelljes së Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvend, duke e akuzuar atë se po pengon themelimin e institucioneve dhe po e çon vendin drejt një krize të re politike. Në një postim në rrjetet sociale, Gashi tha se qëllimi i VV-së është i qartë:…

Lajme
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Arben Gashi, ka reaguar ashpër ndaj sjelljes së Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvend, duke e akuzuar atë se po pengon themelimin e institucioneve dhe po e çon vendin drejt një krize të re politike.
Në një postim në rrjetet sociale, Gashi tha se qëllimi i VV-së është i qartë: bllokimi i institucioneve me çdo kusht.
“Që Vetëvendosje ka plan për bllokimin e institucioneve – nuk ka më asnjë dyshim. Këtë e pamë qartë edhe dje: sapo u zgjodh Kryetari i Kuvendit, VV nisi obstruksionet duke kërkuar shkelje kushtetuese dhe duke tentuar një bllokadë të re për muajt e ardhshëm,” shkroi ai.
Sipas tij, përpjekjet e VV-së për të detyruar partitë politike të shkelin vendimin e Gjykatës Kushtetuese tregojnë një sjellje të papërgjegjshme.
“Me vetëdije, kërkuan nga partitë politike të shkelin vendimin e Gjykatës Kushtetuese, që qartë thotë se duhet të zbatohet rendi i ditës i përcaktuar për seancën konstituive,” theksoi Gashi, duke shtuar se përqendrimi i tyre tek çështja e nënkryetarit serb është vetëm një manovër politike.
Deputeti i LDK-së paralajmëroi pasoja serioze nëse kjo situatë nuk ndryshon shpejt. “Rezultati? Vendi mbetet pa institucione. Prishtina e Gjilani pa buxhet. Shumë shpejt, nëse nuk ka reagim me lidership të qartë politik – e gjithë Kosova rrezikon kolaps institucional,” tha Gashi.
Ai përfundoi duke theksuar se “LDK ka qenë dhe do të mbetet forca vizionare, përgjegjëse dhe zgjidhëse e situatave”./lajmi.net/