Araujo pas humbjes ndaj Frankfurtit: Jam i befasuar pse pati aq shumë tifozë nga ekipi kundërshtar në “Camp Nou”

Ronald Araujo ka folur i pari nga kampi i Barcelonës pas humbjes 3-2 ndaj Eintracht Frankfurtit në çerekfinalen e dytë të Europa League.

Sport

15/04/2022 08:07

Katalunasit me këtë humbje shuajnë shpresat për të triumfuar në kompeticionin e dytë më prestigjioz në Evropë.

Pas ndeshjes pati reagime të ndryshme nga të dyja palët, e njëri ndër ta që foli për ndeshjen ishte edhe mbrojtësi, shkruan lajmi.net.

“Luajtëm mirë. Është zhgënjyese që humbëm. Jam shumë i befasuar që kishte kaq shumë tifozë të ekipit kundërshtar në stadiumin tonë. Klubi do të duhet ta shikojë këtë. Për cilësinë e këtij ekipi mund të thuash se është një dështim”, tha ndër të tjera lojtari.

Pas pësimit të tri golave, Barcelona tentoi të rikthehej në lojë, por përpjekjet e tyre rezultuan të pamjaftueshme për ta ndryshuar emrin e ekipit fitues. Si përfundim, rezultati i përgjithshëm i të dy ndeshjeve është 4-3 në favor të gjermanëve. /Lajmi.net/