APN e Shqiprim Arifit, shpall fitoren në Preshevë
Kryetari i APN-së, Shqiprim Arifi, del të jetë fitues në zgjedhjet e jashtëzakonshme lokale që u organizuan në Preshevë. Raportimet e para thonë se ai mundi Partinë Demokartike Shqiptare që udhëhiqet nga Ragmi Mustafa dhe Partinë Për Veprim Demokratik të Ardita Sinanit.
Lajme
Deri më tani janë numëruar kryesisht fshatrat ku sipas këtyre raporteve, Shqipërim Arifi ka marrë mbi 4,600 vota, apo mbi 50 për qind të votave.
“Në secilën njësi kemi rritje 100 për qind. Miratova ka rritje 309 për qind. PDSH ka 3,600 vota, PVD as 1,000 vota, ndërsa APN 4.650 vota”, tha Armend Aliu , nënkryetar i partisë Alternativa Për Ndryshim.
Presheva ka mbi 19 mijë qytetarë me të drejtë vote, ndërsa këta janë të ndarë në 38 njësi. Votat e panumëruara janë kryesisht në qytetin e Preshevës dhe fshatin Rahovicë.
Raportohet se në qytetin e Preshevës komisionerët e PVD-së dhe PDSH-së kanë bllokuar procesin e nënshkrimit, pasi komisionerët janë tërhequr me pretendimin e parregullsive për shkak të disa fletëve tepër në kuti apo një flete mangut.
Nga Alternativa Për Ndryshim akuzojnë se ky bllokim është duke ndodhur për shkak të humbjes që po pësojnë dy partitë politike, PDSH dhe PVD.
Vëzhguesit raportojnë se edhe në vetë qytetin e Preshevës APN ka fituar bindshëm ndaj rivalëve të saj. /RTK/