Aplikacionet nga Serbia nuk i mori OSBE

Kryesuesja e KQZ'së, Valdete Daka, mohon të jetë ndërprerë procesi i verifikimit të aplikacioneve të ardhura nga Serbia.

Lajme

28/09/2013 19:13

Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve ka mohuar kategorikisht se procesi i verifikimit të aplikacioneve të ardhura nga Serbia është ndërprerë nga Misioni i OSBE’së.

Valdete Daka ka thënë për Kosovapress se verifikimi ka përfunduar dhe se janë në proces të përpilimit të raportit të tyre dhe se nuk ka asgjë tjetër në këtë mes.

Ajo ka thënë se ka monitorues të Bashkimit Europian, me të cilët kanë nënshkruar marrëveshje e të cilët janë duke e monitoruar procesin se çka kanë bërë e çka jo.

“Jo, nuk janë marrë. Unë kam qenë vetë prezente aty, bashkë kemi qëndruar aty dhe nuk i ka marrë askush e as nuk është ndërprerë procesi. Aty është edhe stafi i QNR’së brenda dhe asgjë nuk ka ndodhur.”

“Është shumë mirë duke shkuar procesi përkundër faktit që Serbia po mundohet të prezantojë se jemi duke bërë manovrime, përkundrazi”, ka thënë Daka për Kosovapress.

Daka ka shtuar se Sekretariati i KQZ’së e ka kryer punën dhe janë duke hartuar raportin final, ndërsa nesër ose pasnesër do të dalin me shifra të sakta.