Apeli vërteton vendimin e Themelores për rastin ndaj Allajbeut, Llukës dhe të tjerëve, konfirmohet aktakuza
Gjykata e Apelit ka vërtetuar vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, me të cilin në rivendosje kishte refuzuar kërkesat për kundërshtim të provave dhe hudhje të aktakuzës të ushtruara nga mbrojtja e të pandehurve Ekrem Lluka, Korab Lluka, Klodian Allajbeu, Igli Larashi dhe Edlira Malaj, si dhe tre personat juridikë “American Hospital Kosova”, “Medbrand KS” dhe…
Lajme
Gjykata e Apelit ka vërtetuar vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, me të cilin në rivendosje kishte refuzuar kërkesat për kundërshtim të provave dhe hudhje të aktakuzës të ushtruara nga mbrojtja e të pandehurve Ekrem Lluka, Korab Lluka, Klodian Allajbeu, Igli Larashi dhe Edlira Malaj, si dhe tre personat juridikë “American Hospital Kosova”, “Medbrand KS” dhe “Qendra Kardiale e Kosovës”, lidhur me akuzën për shpëlarje parash përmes falsifikimit të dokumenteve. Kështu, u konfirmua aktakuza e Prokurorisë Speciale.
Ekrem Lluka, pronar i “Qendrës Kardiale të Kosovës” bashkë me Korab Llukën, Klodian Allajbeu aksionar dhe përfaqësues ligjor i “American Hospital Kosova” me Igli Larashin, drejtor ekzekutiv në atë Spital, si dhe pronarja e “Medbrand KS”, Edlira Malaj akuzohen se kanë shpëlarë para përmes një skeme të falsifikimit të dokumenteve dhe prezantimit të dokumenteve false në Administratën Tatimore të Kosovës. Gjithë këto veprime, pesë të akuzuarit ngarkohen se i kanë bërë kur e kanë kuptuar se po hetohen nga ATK dhe Prokuroria Speciale, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Historiku i rastit:
Fillimisht lënda ishte duke u gjykuar nga gjykatësi, Vesel Ismajli, i cili kishte aprovuar kërkesën për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtim të provave, mirëpo Gjykata e Apelit kishte prishur vendimin e Themelores duke e kthyer rastin në rivendosje.
Pasi kthimit në rivendosje çështja po gjykohet nga gjykatësja, Medie Bytyqi e cila kishte refuzuar kërkesën për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtim të provave, duke konfirmuar kështu aktakuzën e PSRK-së.
Në seancën fillestare të mbajtur më 20 mars 2025, mbrojtësi i Llukës, avokati Dastid Pallaska kishte kërkuar që të mbahet shqyrtimi i dytë për kundërshtim të provave dhe kërkesën për hudhje të aktakuzës. Për këtë, kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Vesel Ismaili kishte deklaruar se me ndryshimet e reja ligjore të Kodit të Procedurës Penale, nuk parashihet mbajtja e kësaj seance.
Ndryshe, në seancën fillestare më 20 mars 2025, Ekrem Lluka, Korab Lluka, Klodian Allajbeu, Igli Larashi dhe Edlira Malaj, ishin deklaruar të pafajshëm.
Çka thuhet në vendimin e dytë të Apelit?
Vendimi i Gjykatës së Apelit i përpiluar më 30 prill 2026, është marrë nga kolegji i përbërë nga gjyqtarët: Mentor Bajraktari- kryetar i kolegjit dhe Afërdita Bytyqi dhe Ferit Osmani- anëtarë.
Apeli gjen se aktvendimi i ankimuar nuk është i përfshirë në shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale të parapara me Kodin e Procedurës Penale, apo shkelje të tjera, të cilat do ta kushtëzonin anulimin e këtij aktvendimi.
Sipas Apelit, vendimi i shkallës së parë përmban arsye të mjaftueshme dhe të qëndrueshme me rastin e refuzimit të kërkesave për hudhje të akuzës dhe kundërshtimit të provave të paraqitura nga mbrojtësit e të akuzuarve.
Tutje, thuhet se vendimi i Themelores nuk përmban shkelje esenciale, të cilat i kanë pretenduar mbrojtësit në ankesat e tyre, duke shtuar se vendimi është i qartë, konkret dhe arsyetimi tij është në përputhje të plotë me dispozitivin.
Prandaj, Apeli në vendim ka theksuar se shkalla e parë drejt ka konstatuar se aktakuza e ngritur nga PSRK-ja përmban elementet e nevojshme ligjore siç kërkohen me Kodin e Procedurës Penale dhe se nuk ekzistojnë arsye për hudhje të aktakuzës siç parasheh si shkaqe KPPK-ja.
Më tej, sipas vendimit, në shkresat e lëndës përfshihen një numër i konsiderueshëm dokumentesh dhe materialesh relevante- përfshirë kontratat, marrëveshje e fatura, duke krijuar standardin e mjaftueshëm ligjor për ekzistimin e dyshimit të bazuar mirë kur është ngrit aktakuza.
Shkalla e dytë ka theksuar se në këtë fazë të procedurës nuk bëhet vlerësimi përfundimtar i provave dhe nuk vendoset lidhur me fajësinë, por vetëm verifikohet nëse ekziston nivel i tillë i provave që do të bindet një vëzhgues objektiv për ekzistimin e veprës penale dhe lidhjen e saj me të akuzuarit.
Lidhur me pretendimet për afatshmëri të aktakuzës, Apeli në vendim ka konstatuar se aktakuza është ngritur brenda afateve të hetimit, krejt kjo bazuar në datën e aktvendimit për fillim të hetimit më 12 tetor 2022 dhe kërkesën për zgjerim të hetimeve në aspektin objektiv dhe subjektiv të datës 10 nëntor 2023 dhe 21 janar 2024, si dhe vendimin e Gjykatës për aprovim të zgjatjes së afateve të hetimit- aktvendim ky i datës 12 shtator 2024.
Gjithashtu, Apeli gjet se shkalla e parë saktë ka refuzuar pretendimin e mbrojtësve të të akuzuarve lidhur me parashkrimin e veprave penale dhe se momenti i fillimit të parashkrimit lidhet me momentin e përdorimit të dokumenteve dhe jo të kohës së përpilimit të dokumenteve.
Apeli ka theksuar se shkalla e parë gjatë seancave të shqyrtimit gjyqësor, do të vlerësojë nëse kemi të bëjmë me gabime teknike apo veprime të qëllimshme nga të akuzuarit dhe krejt në fund do të përcaktojë nëse ka përgjegjësi penale te të akuzuarit.
Po ashtu, Apeli thekson se nuk qëndron as pretendimi i mbrojtjes se nuk janë ofruar të gjitha materialet hetimore në mënyrë që të krijohen kushtet për të kundërshtuar provat që mbështesin akuzën. Gjithashtu, thekson se nuk qëndron as pretendimi se nuk janë përmbushur elementet e veprave penale të “Falsifikimit të dokumenteve”, për shkak të mungesës së dashjes, ngase sipas Apelit, këto rrethana vlerësohen gjatë shqyrtimit gjyqësor pas administrimi të plotë të provave.
Pas këtij vendimi të Apelit, Themelorja pritet të caktojë seancën e shqyrtimit gjyqësor.
Fillimisht, Gjykata Themelore në Prishtinë kishte hudhur poshtë aktakuzën e Prokurorisë Speciale ndaj Ekrem Llukës, Korab Llukës, Klodian Allajbeut, Igli Larashit dhe Edlira Malajt, si dhe tre personave juridikë “American Hospital Kosova”, “Medbrand KS” dhe “Qendra Kardiale e Kosovës”, lidhur me akuzën për shpëlarje parash përmes falsifikimit të dokumenteve.
Kundër aktvendimit të Themelores, në afat ligjor ankesë kishte paraqitur PSRK-ja për shkak të shkeljes esenciale të dispozitave të procedurës penale dhe vlerësimit të gabuar ose jo të plotë të gjendjes faktike. Propozoi që Apeli ta aprovojë në tërësi ankesën ndërsa aktvendimin ta ndryshojë dhe të lejojë që aktakuza ndaj të pandehurve të kalojë në shgyrtim gjyqësor apo ta anulojë dhe çështjen ta kthejë në rivendosje.
Të gjithë të lartpërmendurit kanë propozuar të refuzohet ankesa e Prokurorisë dhe të vërtetohet aktvendimi i ankimuar. Kurse, Prokuroria e Apelit me parashtresën e 22 korrikut 2025, ka propozuar qe të aprovohet ankesa e PSRK-së, ndërsa të refuzohen si të pabazuara përgjigjet në ankesë të paraqitura nga mbrojtësit e të pandehurve.
Pas shqyrtimit të shkresave të lëndës dhe vlerësimit të pretendimeve të paraqitura në ankesë dhe përgjigjet në ankesë, Apeli gjeti se ankesa është e bazuar dhe anuloi aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë me të cilin ishte hudhur poshtë aktakuza Prokurorisë Speciale, kështu e ktheu rastin në rivendosje në Themelore.
Në seancën fillestare më 20 mars 2025, Ekrem Lluka, Korab Lluka, Klodian Allajbeu, Igli Larashi dhe Edlira Malaj, ishin deklaruar të pafajshëm.
Çka thuhet në aktakuzën e Prokurorisë Speciale të cilën e kishte ngritur prokurori special, Dren Paca?
Në aktakuzën fillestare të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), të cilën e ka siguruar “Betimi për Drejtësi“, janë dhënë detaje se si këta pesë persona pretendohej se kishin prezantuar fatura dhe dokumente me subjekte që nuk ishin të regjistruara, me qëllim që të legjitimonin transaksionet bankare dhe të përfitonin mbi 3 milionë euro.
Edlira Malaj ngarkohet se ka falsifikuar dokumentin pasi si pronare e “Medbrand KS” kishe përdorur dokumente të falsifikuara dhe i kishte dërguar në Administratën Tatimore të Kosovës.
Sipas Prokurorisë, Malaj kishte përdorur dokumentin e falsifikuar- kontratën për shitblerje në mes të “Medbrand KS” dhe “American Hospital Kosova” e lidhur më 23.10.2014, ani pse “Medbrand KS” nuk kishte qenë si subjekt i regjistruar në atë kohë kur thuhet se është arritur marrëveshja.
Klodian Allajbeu aksionar në “American Hospital Kosova” dhe drejtori i këtij spitali, Igli Larashi akuzohen për falsifikim të dokumenteve, me arsyetimin se kishin përdorur dokumente të falsifikuara për shit-blerjen në vlerë prej 4, 703, 999, 98 (4.7 milionë euro) të datës 23.10.2014 në mes të shitësit “Medbrand Ks” dhe blerësit “American Hospital Kosova” dhe të njëjtat dokument ia kishin prezantuar Administratës Tatimore të Kosovës. Në kohën kur është nënshkruar marrëveshje për shit-blerje, sipas aktakuzës, “Medbrand KS” nuk ishte si subjekt i regjistruar.
Pika tjetër e aktakuzës i ngarkon Edlira Malajn, Igli Larashin dhe Korab Llukën i cili ishte përfaqësues i “Qendrës Kardiake të Kosovës” se kanë nënshkruar dokumente të falsifikuara dhe me përmbajtje të rreme. Ata ngarkohen se nënshkruan në mars të vitit 2021 “Kontratë për cedimin e llogarive të arkëtueshme” të datës 23.12.2020 dhe e përdorën duke ia dorëzuar ATK-së, me qëllim të vënies në lajthim se kinse kishin nënshkruar para se ATK kishte filluar procedurat hetimore ndaj tyre.
Sipas aktakuzës, Malaj, Larashi dhe Lluka kishin kryer këtë veprim me qëllim të legjitimimit të mosdeklarimit të pagesës prej 1.572.842.000 (1.5 milionë) euro nga ana e “American Hospital Kosova” dhe “Qendrës Kardiake të Kosovës”.
Veç kësaj, pika tjetër e aktakuzës e ngarkon Klodian Allajbeun, Edlira Malajn dhe Korab Llukën për nënshkrimin e dokumentit të falsifikuar dhe të rremë si “Aneks kontratë për cedimin e llogarive të arkëtueshme” të datës 22.03.2021 me qëllim të legjitimimit të mosdeklarimit të faturës mes “American Hospital Kosova” dhe “Qendrës Kardiake të Kosovës” në vlerë prej 1.572.842.000 (1.5 milionë) euro.
Pika tjetër e aktakuzës e ngarkon Edlira Malajn dhe Ekrem Llukën si pronar i “Qendrës Kardiake të Kosovës” se në bashkërkeyrje kanë nënshkruar dokument të falsifikuar dhe të rremë dhe të njëjtin ia kanë paraqitur AKT-së me qëllim që ta vëjnë në lajthim ATK-në se kinse shitblerjen e pajisjesve nga “Qendra Kardiake e Kosovës” te “Medbrans Ks”.
Pika tjetër e aktakuzës e ngarkon sërish Edlira Malajn bashkë me Korab Llukën për nënshkrim të dokumenteve të flasifikuara dhe të rreme me qëlllim që ta vëjnë në lajthim ATK-në me qëllim për të justifikuar mosdeklarimin e faturës në vlerë prej 1.572.842.000 (1.5 milionë) euro.
Klodian Allajbeu akuzohet se kishte përdorur tri dokumente të falsifikuara dhe i kishte dërguar në Policinë e Kosovës me qëllim të vënies në lajthim të Policisë dhe Prokurorisë për blerje të pajisjeve nga “Medbrand KS” ne vlerë prej 4.703.999.98 euro, ishte marrë nga Bordi i “American Hospital Kosova” më 20 tetor 2014, edhe pse ishte në dijeni se me këtë datë “Medbrand KS” nuk ekzistonte si subjekt i regjistruar.
Pika tjetër i ngarkon sërish Edlira Malajn, Klodian Allajbeun dhe Igli Larashin, Ekrem Llukën dhe Korab Llukën se duke përdorë dokumente të falsifikuara arrijnë të realizojnë para të paligjshme në vlerë prej 3.482.000.00 euro.
Gjithnjë sipas aktakuzës, pesë të akuzuarit, duke përdorur dokumente të falsifikuara arrijnë të maskojnë, të fshehin natyrën e burimit të vërtetë, t’i konvertojnë dhe transferojnë nga një llogari e biznesit në llogarinë e biznesit tjetër, në llogari personale brenda dhe jashtë Kosovës, për t’i marrë më vonë në posedim dhe shfrytëzim si para të ligjshme.
“Ashtu që e pandehura Edlira Malaj pasi themelon subjektin “Medbrand KS”, më 05.11.2014 se bashku me të pandehurin Klodian Allajbeu dhe Ekrem Llukën përpilojnë dokumentin e falsifikuar “Kontratë për shitblerje” datë 30.05.2014 sipas të cilit subjekti juridik “Medbrand KS” kinse dhe me qëllim të ekzekutojnë kontratën e lartëcekur gjatë vitit 2015 lëshojnë në qarkullim edhe dy fatura të falsifikuara të datës 24.07.2015 në vlerë 1.572.842.00 euro të lëshuar nga “Qendra Kardiake e Kosovës për “Medbrand Ks” dhe faturën e datës 27.07.2015 në vlerë prej 4.709.999.98 euro, të lëshaur nga “MEdbrand Ks” për American Hospital Kosova”, thuhet më tej në aktakuzë.
Sipas aktakuzës, Malaj kishte përfituar shumën prej 3.131.158.00, ku pjesën më të madhe të këtyre mjeteve i transferon dhe i tërheq në Republikën e Shqipërisë si dividentë. Një pjesë të këtyre mjeteve i kishte transferuar në Austri në llogari të saj dhe të djalit të saj Rigers Malaj.
Kështu, aktakuza i ngarkon për shpëlarje të parave Klodian Allajbeun, Ekrem Llukën, Korab Llukën, Igli Larashin dhe Edlira Malajn.
“Nga data 10.08.2015 në vazhdimësi deri në vitin 2023, subjektet juridike të pandehura 1. “Medbrand KS” Sh.p.k me person përgjegjës njëherit pronare Edlira Malaj, 2. “American Hospital Kosova” Sh.p.k me persona përgjegjës njëherit aksionar dhe përfaqësues ligjor Klodian Allajbeu dhe drejtor ekzekutiv Igli Larashi, 3. “Qendra Kardiale e Kosovës” Sh.p.k me persona përgjegjës njëherit pronar dhe përfaqësues ligjor Ekrem Lluka dhe Korab Lluka, duke përdorur dokumente të falsifikuara të përshkruara si në dispozitivin “I deri VII”, arrijnë të realizojnë të hyra ose para të paligjshme në vlerë 3,482,000.00 Euro, të cilat para pastaj me qëllim që të duken si të ligjshme, duke i përdorur dokumente të njëjta, arrijnë ti maskojnë dhe t’ia fshehin natyrën ose burimin e vërtetë dhe ti konvertojnë (të blejnë prona të paluajtshme), transferojnë nga një llogari e biznesit në llogarinë e biznesit tjetër, në llogari personale të pronarëve brenda dhe jashtë territorit të Republikës së Kosovës dhe ti shfrytëzojnë si para të ligjshme”, thuhet më tej në aktakuzë.
Sipas aktakuzës, ata në vazhdimësi kanë kryer veprën penale “Shpëlarje e parave”, e përcaktuar në nenin 308 lidhur me nenin 40 dhe 81 të KPRK-së nr. 04/L-082 dhe lidhur me nenin 56 par.1 nën par.1.6 të Ligjit për parandalimin e pastrimit të parave dhe luftimin e financimit të terrorizmit.