Apeli vërteton dënimin me nga 15 vjet burgim për Ivica Rajkoviq dhe Dragan Deniq për dhunim seksual e krime tjera gjatë luftës në Kosovë
Gjykata e Apelit ka vërtetuar vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë me të cilin të akuzuarit Ivica Rajkoviq dhe Dragan Deniq u dënuan me nga 15 vjet burgim për veprën penale “Krimet e luftës kundër popullsisë civile”, duke refuzuar ankesat e palëve. Aktgjykimi dënues nga Themelorja ishte shpallur më 28 korrik 2025, ndërkaq ky gjykim është zhvilluar në…
Lajme
Gjykata e Apelit ka vërtetuar vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë me të cilin të akuzuarit Ivica Rajkoviq dhe Dragan Deniq u dënuan me nga 15 vjet burgim për veprën penale “Krimet e luftës kundër popullsisë civile”, duke refuzuar ankesat e palëve.
Aktgjykimi dënues nga Themelorja ishte shpallur më 28 korrik 2025, ndërkaq ky gjykim është zhvilluar në mungesë.
Kundër këtij aktgjykimi, kishte parashtruar ankesë mbrojtësi i të pandehurit Ivica Rajkoviq, avokati Ljubinko Todoroviq, duke kundërshtuar gjendjen faktike të vërtetuar nga shkalla e parë, me propozim se i akuzuari të lirohet nga fajësia.
Po ashtu, ankesë ka paraqitur edhe mbrojtësja e të pandehurit Dragan Deniq, avokatja Milka Millosavljeviq, për shkak të shkeljeve esenciale të dispozitave të procedurës penale, vërtetimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike, shkeljes së Ligjit Penal dhe lartësisë së dënimit, me propozim që i pandehuri të lirohet apo lënda të kthehet në rigjykim dhe rivendosje.
Kurse, përfaqësuesja e palës së dëmtuar, avokatja Makifete Saliuka, parashtroi ankesë për shkak të zbatimit të gabuar të Ligjit Penal lidhur me sanksionin penal, me propozim se Apeli ta ndryshojë aktgjykimin e ankimuar dhe të pandehurve Rajkoviq dhe Deniq t’i shqiptojë dënim me burgim nga 20 vjet.
Ndërsa, Prokuroria e Apelit me anë të parashtresës kishte propozuar se ankesat e avokatëve Todoroviq dhe Millosavljeviq të refuzohen si të pabazuara, kurse të aprovohet si e bazuar ankesa e avokates Saliuka për vendimin mbi dënimin.
Gjithashtu, edhe në seancën e Kolegjit të Apelit të mbajtur më 4 qershor 2026, palët mbrojtëse kanë deklaruar se mbeten në tërësi pranë ankesave të paraqitura me shkrim.
Gjetjet e Apelit lidhur me pretendimet e mbrojtësve:
Fillimisht, Apeli konstatoi se shkalla e parë ka vepruar në përputhje me dispozitën ligjore për gjykimin në mungesë, pasi u vërtetua se të pandehurit nuk janë të arritshëm për organet e drejtësisë së Republikës së Kosovës.
Shkalla e dytë pas analizimit të pretendimeve ankimore të mbrojtjes gjen se në dispozitiv të aktgjykimit janë përshkruar qartë të gjitha elementet e veprës penale, andaj sipas Apelit, dispozitivi është i qartë, i kuptueshëm dhe i plotë.
Kurse, sa i përket pretendimit për vërtetim të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike, Apeli konstaton se Themelorja ka bërë një analizë të plotë dhe të gjithanshme të secilës provë veç e veç, si dhe në ndërlidhje me provat tjera.
“Duke arritur në përfundime të mbështetura në një tërësi provash se të pandehurit bashkë me persona tjerë të uniformuar dhe armatosur, duke përdoruar forcën e kanë dhunuar seksualisht viktimën, siç është përshkruar në dispozititv të aktgjykimit të ankimuar”, thuhet në vendim të Apelit.
Po, ashtu, gjykata e shkallës së dytë ka konstatuar se nuk qëndrojnë pretendimet e mbrojtësit të pandehurit Rajkoviq, avokatit Todoroviq, se dëshmitarët e propozuar nga Prokuroria nuk e kanë identifikuar të mbrojturin e tij për arsye se viktima e drejpërdrejtë e veprës penale ka mbajtur qëndrim të pandryshueshëm duke dhënë përshkrime të hollësishme të personave që e kanë sulmuar, në të gjitha deklaratat e saj dhe e ka identifikuar atë edhe me fotografi.
Më tej, Apeli konstatoi se nuk qëndrojnë as pretendimet nga mbrojtësja e të pandehurit Deniq, avokatja Millosavljeviq se nuk është identifikuar i pandehuri, pasi që në deklaratat e viktimës është shpjeguar qartë se ka qenë pikërisht Deniq, ai i cili e kishte tërhequr zvarrë në dhomë dhe kishte kryer aktin e dhunimit seksual duke e identifikuar të njëjtin edhe në fotografi.
Po ashtu, në vendim thuhet se edhe dëshmitari okular i ngjarjes kishte deklaruar se vazhdimisht i ka njohur të pandehurit Rajkoviq dhe Deniq edhe para luftës pasi kishin punuar si policë, dhe duke treguar madje edhe vendin e saktë të shtëpisë së të pandehurit Rajkoviq.
Tutje, sipas Apelit, nuk qëndron as pretendimi ankimor se nuk është përcaktuar me saktësi koha e kryerjes së veprës penale sepse në arsyetim të aktgjykimit të Themelores kjo çështje është trajtuar veçanërisht dhe është konstatuar se nuk ka qenë e mundur të vërtetohet data e saktë kur ka ndodhur ngjarja, mirëpo është arritur të vërtetohet se ka ndodhur në gjysmën e dytë të muajit maj të vitit 1999.
Andaj, Apeli gjen se mungesa e përcaktimit të datës së saktë nuk e bën të paqartë përshkrimin faktik të veprës penale dhe as nuk e cenon të drejtën e mbrojtjes së të pandehurit.
Apeli, të pabazuara i ka konsideruar edhe pretendimet e mbrojtjes së të pandehurit Deniq se mungojnë provat materiale, si ADN-ja apo raportet mjekësore-forenzike, të cilat vërtetojnë përgjegjësinë individuale të tij, me arsyetimin se përmes deklaratës së viktimës së rastit dhe dëshmitarëve okularë është vërtetuar fakti i dhunimit të viktimës.
Gjithashtu, këtë fakt sipas Apelit, e vërteton edhe njohja e statusit të viktimës së luftës së dhunës seksuale, të viktimës se rastit nga Komisioni Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Personave të Dhunuar gjatë Luftës Çlirimtare të Kosovës.
“Në këtë drejtim, gjykata ka vlerësuar se mungesa e provave materiale, siç janë provat mjekësore apo forenzike, nuk e cenon besueshmërinë e deklarimit të viktimës, pasi rrethanat e konfliktit të armatosur, zhvendosjet e popullsisë civile dhe gjendja e pasigurisë në atë periudhë kanë ndikuar që sigurimi i provave të tilla të jetë i vështirë ose i pamundur”, thuhet në vendim të Apelit.
Gjetjet e Apelit lidhur me shkeljen e Ligjit Penal:
Gjykata e Apelit gjen se pretendimet ankimore të mbrojtjes për shkelje të Ligjit Penal janë të pabazuara dhe shton se në rastin konkret, veprimet e kryera ndaj viktimës përbëjnë shkelje të rëndë të integritetit fizik dhe psikologjik të saj dhe përbëjnë trajtim çnjerëzor ndaj një personi civil gjatë konfliktit të armatosur.
Vendimi i Apelit, thotë se deklaratat e viktimës dhe dëshmitarëve të tjerë, vërtetojnë se të pandehurit Rajkoviq dhe Deniq kanë qenë pjesë e forcave policore serbe dhe nga përshkrimi i veprës penale në aktakuzë rezulton dyshimi i bazuar se ata së bashku me persona tjerë të paidentifikuar kanë marrë pjesë në kryerjen e dhunës fizike dhe seksuale ndaj viktimës.
Andaj, Gjykata e Apelit vlerëson se janë përmbushur elementet e bashkëkryerjes, pasi veprimet penale janë kryer nga disa pjesëtarë të armatosur të forcave policore serbe që kanë vepruar së bashku dhe në mënyrë të koordinuar dhe secili prej tyre kanë kontribuar në realizimin e veprës penale.
Ndërsa, pretendimet se nuk është bërë indiviualizimi i veprimeve të të pandehurëve, po ashtu janë të pabazuara, sepse sipas Apelit, nga dispozitivi i aktgjykimit rezulton se për secilin të pandehur janë përshkruar veprimet konkrete që i atribuohen.
Specifikisht, theksohet që aktakuza shpjegon veprimet së pari të të pandehurit Deniq, i cili ka marrë me forcë viktimën duke përdorur dhunë fizike dhe duke kryer aktin e parë të dhunimit seksual, ndërsa për të pandehurin Rajkoviq shpjegohen veprimet e pjesëmarrjes së tij në kryerjen e dhunimit seksual ndaj viktimës.
“Për rrjedhojë, përgjegjësia penale e secilit të pandehur është individualizuar qartë dhe nuk ekziston paqartësi lidhur me veprimet për të cilat janë shpall fajtor”, thuhet më tej në vendim të Apelit.
Andaj, në bazë të këtyre rrethanave Apeli, konstaton se Themelorja ka zbatuar drejt Ligjin Penal dhe se në rastin konkret janë vërtetuar të gjitha elementet e veprës penale “Krime kundër popullsisë civile”.
Gjetjet e Apelit lidhur me vendimin mbi dënimin:
Apeli ka vlerësuar se gjykata e shkallës së parë me rastin e caktimit të llojit dhe lartësisë së dënimit ndaj të pandehurve Rajkoviq dhe Deniq, ka zbatuar drejt dispozitat për matjen e dënimit dhe ka vlerësuar të gjitha rrethanat relevante.
Sipas Apelit, në arsyetim të aktgjykimit gjenden vlerësimet e rrethanave lehtësuese, për të cilat Themelorja ka vlerësuar se nuk ekziston ndonjë rrethanë e veçantë lehtësuese dhe rrethanat rënduese në të cilat është vlerësuar natyra, pesha dhe shkalla e lartë e rrezikshmërisë së veprës penale, vlerat e mbrojtura të cenuara, mënyra e kryerjes së veprës penale dhe veçanërisht pasojat e rënda të shkaktuara ndaj viktimës të cilat i vuan edhe sot.
Po ashtu, si rrethanë rënduese, Apeli e ka vërtetuar edhe faktin se viktima është dhunuar nga një grup personash nën kërcënimin serioz për jetën e saj, në shtëpinë e saj dhe në praninë e bashkëshortit të saj, i cili ka qenë i detyruar të përjetojë këtë ngjarje nën kërcënim të vazhdueshëm për jetën.
Andaj, Apeli ka konstatuar se pretendimet e mbrojtjes së të pandehurit Deniq, për rrethanat lehtësuese që përfshijnë mungesën e dënimeve të mëparshme, rrethanat familjare dhe kalimin e një periudhe të gjatë kohore nga kryerja e veprës penale, nuk mund të kenë përparësi ndaj rrethanave rënduese të konstatuara.
Kolegji penal i Gjykatës së Apelit po ashtu ka vlerësuar edhe ankesën e përfaqësues së palës së dëmtuar, avokates Makifete Saliuka dhe gjeti se ankesa nuk është e lejuar për arsye se i dëmtuari nuk mund të ushtrojë ankesë për sanksionin penal për veprën penale “Krimet e luftës kundër popullsisë civile” për të cilën janë të akuzuar të pandehurit Rajkoviq dhe Deniq.
Sipas Apelit, ankesë të tillë mund të ushtrohet për veprat penale: trafikim me qenie njerëzore, dhunën në familje, kundër jetës dhe trupit, kundër integritetit seksual, kundër sigurisë së trafikut publik dhe për kërkesën pasurore-juridike kur i akuzuari shpallet fajtor, si dhe për shpenzimet e procedurës penale që ndërlidhen me të.
Pra, në përfundim Kolegji i Gjykatës së Apelit, pas shqyrtimit të të gjitha pretendimeve ankimore të mbrojtësve të të pandehurve dhe vlerësimit të aktgjykimit të ankimuar, konstatoi se aktgjykimi i shkallës së parë nuk është i përfshirë në shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, janë zbatuar drejt dispozitat për gjykim në mungesë, gjendja faktike është vërtetuar drejt dhe plotësisht. dhe se Ligji Penal është zbatuar drejt si në cilësim të veprës penale edhe në caktim të dënimit.
Vendimi i Apelit për këtë çështje është marrë nga kolegji i përbërë prej: Avni Mehmetit- kryetar i Kolegjit të Apelit, Albina Shabani-Rama dhe Valon Kurtaj- anëtarë.
Ndryshe, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), në 27 nëntor 2023 ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurve Ivica Rajkoviq dhe Dragan Deniq, të cilët akuzohen se si pjesëtarë të forcave policore të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, gjatë luftës në Kosovë, pas fillimit të bombardimeve të NATO-s më 24 mars 1999, gjatë një sulmi të gjerë dhe sistematik nga forcat ushtarake, policore dhe paramilitare serbe kundër popullatës civile shqiptare në territorin e komunës së Prishtinës, në bashkëkryerje me pjesëtarë të tjerë të këtij njësiti, morën pjesë në dëbimin e popullatës civile shqiptare, plaçkitjen e tyre, kryerjen e dhunës fizike dhe psiqike ndaj tyre.
Aktakuza thotë se me përdorimin e dhunës dhe veprimeve tjera çnjerëzore kanë kryer dhunim seksual ndaj gruas së nacionalitetit shqiptar.
Me këtë, akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Krime kundër njerëzimit” nga neni 143, par.1, nënpar.1.6 dhe 1.7 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. /BetimipërDrejtësi