“Apeli shfajëson e shpërblen abuzuesit e vajzave dhe grave” – Aksion pas lirimit të policit të akuzuar për abuzim seksual të të miturës në Drenas
Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminisit, ka realizuar një aksion tek Gjykata e Apelit, pas vendimit për ta liruar nga akuza policin e akuzuar për abuzim seksual të të miturës ng Drenasi në vitin 2019. Përveç kësaj, Apeli ka vendosur për dëmshpërblim ndaj tij me mbi 45 mijë euro paga, trust e kamatë ligjore dhe…
Lajme
Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminisit, ka realizuar një aksion tek Gjykata e Apelit, pas vendimit për ta liruar nga akuza policin e akuzuar për abuzim seksual të të miturës ng Drenasi në vitin 2019.
Përveç kësaj, Apeli ka vendosur për dëmshpërblim ndaj tij me mbi 45 mijë euro paga, trust e kamatë ligjore dhe ta kthejë në punë.
“Ky vendim i cili ka kaluar në heshtje në vitin 2024 paraqet alarm për sigurinë tonë kolektive si vajza dhe gra. Është lemeritëse për ne të marrim vesh se të akuzuarit për abuzim seksual të një vajze të mitur, përveç se është liruar, të vazhdojë të punojë në Policinë e Kosovës, e cila është adresa e parë për raportim të dhunës. Ky shfajësim dhe shpërblim i abuzuesve e ushqen edhe më tej mosbesimin, frikën dhe hezitimin që vajzat dhe gratë e kanë për të raportuar në institucione dhunën që ju bëhet. Teksa policia, gjykata e institucione tjera publike akomodojnë abuzues seksualë, ne nuk mund të jemi të sigurta askund”, kanë thënë nga ky Kolektiv.
Ata kanë kërkuar që polici të largohet nga puna.
“Kërkojmë dhe thërrasim veprim kolektiv ndaj kësaj praktike shfajësuese e cila po normon dhunë mbi trupat tanë. Të vetëdijshme për rrezikshmërinë e kudogjendur që na i përshkon jetët tona, ne përveç vigjilencës tonë, kërkojmë edhe solidarizim e organizim shoqëror për t’i bërë ballë sulmeve të shumëanshme që na bëhen. Vetëm nëpërmjet solidarizimit, refuzimit të dhunës së institucionalizuar patriarkale dhe organizimit të shtrirë shoqëror, mund t’i mbrojmë trupat tanë kundër këtij shteti patriarkal”, thuhet ndër të tjera. /Lajmi.net/
