Apeli konfirmon aktakuzën për korrupsion ndaj Vesel Krasniqit dhe Endrit Shalës që kandiduan për deputetë

Gjykata e Apelit e ka vërtetuar vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, e cila kishte konfirmuar aktakuzën e Prokurorisë Speciale ndaj dy ish-ministrave të Tregtisë dhe Industrisë, Vesel Krasniqi dhe Endrit Shala, e cila dy të akuzuarit i ngarkon për keqpërdorim të detyrës zyrtare. Sipas vendimit të Apelit, ankesë ndaj vendimit të Themelores ka ushtruar…

Lajme

08/05/2025 10:44

Gjykata e Apelit e ka vërtetuar vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, e cila kishte konfirmuar aktakuzën e Prokurorisë Speciale ndaj dy ish-ministrave të Tregtisë dhe Industrisë, Vesel Krasniqi dhe Endrit Shala, e cila dy të akuzuarit i ngarkon për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Sipas vendimit të Apelit, ankesë ndaj vendimit të Themelores ka ushtruar mbrojtësi i të akuzuarit Krasniqi, avokati Artan Qerkini, për shkak të shkeljeve të dispozitave të Kodit të Procedurës Penale, me propozimin që Gjykata e Apelit ta aprovojë si të bazuar ankesën dhe ndaj të pandehurit të hudhet aktakuza, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Kurse, mbrojtësi i të akuzuarit Shala, avokati Besnik Berisha, kishte ushtruar ankesë për shkak të shkeljeve të dispozitave të procedurës penale, me propozimin që Gjykata e Apelit ta aprovojë si të bazuar ankesën dhe ndaj Shalës të hudhet aktakuza.

Ndërsa, Prokuroria e Apelit nëpërmjet një shkrese kishte propozuar që të refuzohen si të pabazuara ankesat e mbrojtësve të të akuzuarve, ndërsa aktvendimi i ankimuar të vërtetohet.

Por, Gjykata e Apelit pas shqyrtimit të shkresave të lëndës dhe vlerësimit të pretendimeve ankimore në ankesa, me vendimin e 22 prillit 2025, gjeti se ankesat janë të pabazuara.

Gjetjet e Apelit:

Sipas Apelit, nga shikimi i aktvendimit të gjykatës së shkallës së parë rezulton se shkalla e parë ka dhënë arsye të mjaftueshme dhe të qëndrueshme me refuzimin e kërkesave të mbrojtjes. Kjo Gjykatë gjen se aktvendimi i ankimuar nuk përmban shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale.

Apeli thekson se nuk ekzistojnë arsyet për hudhje të aktakuës. Në rastin konkret, nuk qëndrojnë pretendimet ankimore të mbrojtjes se nuk ka prova të mjaftueshme për të mbështetur dyshimin e bazuar mirë, meqenëse nga shikimi i shkresave të lëndës rezulton se provat të cilat janë propozuar në akuzën e Prokurorisë, janë të mjaftueshme për të mbështetur dyshimin e bazuar mirë.

Aty thuhet po ashtu se provat janë siguruar në mënyrë të ligjshme dhe në pajtim me dispozitat ligjore.

Kolegji i Apelit e gjen të pabazuar pretendimin e avokatit Qerkini sa i përket mungesës së qëllimit të dëmtimit të interesit publik se në rastin konkret kemi kundërthënie mes pretendimeve të Prokurorisë dhe provave. Shkalla e dytë vlerëson se nga provat e prezantuara nga Prokuroria mbështetet dyshimi i bazuar për veprat me të cilat akuzohen të pandehurit.

Apeli ka gjetur të pabazuar pretendimin e avokatit Berisha sa i përket veprës penale të ricilësuar në konflikt interesi pas hetimeve të zhvilluara për keqpërdorim të detyrë zyrtare.

Sipas Apelit, nga provat e siguruara nga Prokuroria është konstatuar gjendja faktike për një tjetër vepër penale e të cilën e ka ricilësuar prokurori, dhe këtë e ka bazuar në provat të cilat gjenden në shkresat e lëndës e të cilat mbështesin dyshimin e bazuar.

Po ashtu, kolegji vlerëson se provat që mbështesin faktet e çështjes në akuzë, krijojnë dyshimin e bazuar mirë në raport me të pandehurit për veprimet e tyre që përshkruhen në aktakuzë.

“Andaj, me të drejtë gjykata e shkallës së parë ka vlerësuar ligjshmërinë e aktakuzës, elementeve të saj dhe pranueshmërinë e provave në kontekst të dyshimit të bazuar mirë se një vepër penale ka ndodhur dhe dyshimi rezulton në raport me të pandehurit, ndërsa pretendimet e tjera të mbrojtjes do të trajtohen në tërësi gjatë shqyrtimit gjyqësor”, thuhet në vendim.

Kështu, Apeli vlerëson se aktakuza e PSRK-së është e bazuar, e ligjshme, i plotëson të gjitha kushtet nga aspekti ligjor që të procedohet tutje në fazën e shqyrtimit. Gjykata konstatoi se ankesat e mbrojtjes duhet të refuzohen ngase nuk ka arsye ligjore për hudhjen e aktakuzës.