Apeli ia zbret në 11 vjet burgimin serbit që tentoi të kryejë sulm terrorist në Prishtinë
Gjykata e Apelit i ka ulur për dy vite dënimin me burg serbit Sllobodan Gavriq, që planifikoi të kryejë vrasje masive në kryeqytetin kosovar, gjatë Krishtlindjeve të vitit 2014. Të dënuarit për terrorizëm, i ishin shqiptuar gjithsej 13 vite burgim nga Gjykata Themelore e Prishtinës, në qershor të 2016-ës.

Lajme
Gjykata e Apelit i ka zbritur në 11 vite burgim, dënimin ndaj serbit Sllobodan Gavriq, që në dhjetor të 2014’ës u zu në Prishtinë me 23 qese eksploziv, duke i transportuar me veturën e tij “Renault”, e sipas vendimit të gjykatës themelore, të datës 26 qershor të këtij viti, ai ishte destinuar të kryente vrasje masive në qendër të Prishtinës, afër Hotelit Grand.
Lehtësimin e dënimit, Apeli, e ka arsyetuar me pranimin e veprës nga i dënuari.
Ky është vendim i Apelit për rastin:
Gjykata e Apelit e Kosovës, i ka aprovuar pjesshëm me 15.11.2016, ankesat e mbrojtësve të akuzuarit S.G. Aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë, i datës 29.06.2016, është ndryshuar vetëm sa i përket vendimit mbi dënim. S.G është dënuar me 11 vjet burgim, për veprën penale: Përgatitja e veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës, nga 13 sa ishte dënuar në shkallë të parë. Pjesa tjetër e aktgjykimit ka mbetur e pa ndryshuar.
Gjykata e Apelit, i ka pranuar vlerësimet e rrethanave relevante për matjen e dënimit, të gjykatës se shkallës se parë, por ka gjetur se në pranimin e rrethanave lehtësuese të aplikuara, ka vend për shqiptimin e dënimit më të butë, duke pasur parasysh faktin se i akuzuari me pranimin e veprimeve inkriminuese, ka kuptuar pasojat e veprimit të tij.
Pretendimet tjera të mbrojtjes janë refuzuar si të pa bazuara.