Apeli i dërgon në arrest shtëpiak 28 të dyshuarit për huliganizëm

Gjykata e Apelit e Kosovës, me anë të gjashtë vendimeve të ndryshme, ua ka ndërprerë paraburgimin prej 30 ditësh 28 personave pjesëmarrës në protestën e dhunshme të 27 janarit , të organizuar nga Lëvizja Vetëvendosje,  të dyshuar për veprën penale - pjesëmarrje në turmë që kryen vepër penale, huliganizëm.

Lajme

06/02/2015 11:43

Kolegji Penal i Departamentit të Përgjithshëm, vendosi që kjo masë t’iu zëvendësohet më atë të arrestit shtëpiak prej 30 ditësh, duke llogaritur nga koha e arrestimit të tyre, me 27.01.2015 dhe 28.01.2015.

Po ashtu kjo gjykatë i ka ndërprerë masën e arrestit shtëpiak një personi të dyshuar për të njëjtën vepër penale dhe ka vendosur që i njëjti të mbrohet në liri.

Gjykata e Apelit konstaton se nuk janë përmbushur kushtet ligjore të parashikuara nga neni 187 i Kodit të Procedurës Penale për caktimin e masës së paraburgimit.

Kjo gjykatë vlerëson po ashtu se në këto rrethana, sigurimi i pranisë se të pandehurve në procedurë, parandalimi i ndikimit në dëshmitarë dhe përsëritje të veprës penale, është i mjaftueshëm edhe me caktimin e masës së arrestit shtëpiak.

Të pandehurit detyrohen që të qëndrojnë në shtëpitë e tyre, në adresat si në vendimet e gjykatës dhe nuk kanë drejtë të largohen, përveç kur kjo është e domosdoshme për përmbushjen e nevojave të tyre jetësore, gjithherë me lejen e gjyqtarit të procedurës paraprake. /lajmi.net/