Apeli e kthen në rigjykim rastin e zyrtarit korrektues të dënuar për marrje ryshfeti

Gjykata e Apelit ka marrë vendim me të cilin e ka kthyer në rigjykim rastin ndaj Mentor Avdylajt, të cilin Gjykata Themelore në Prishtinë e kishte dënuar me 2 vite burgim dhe 1 mijë euro gjobë për marrje ryshfeti. Në këtë rast, Avdylaj në cilësinë e oficerit të Shërbimit Korrektues në Burgun e Dubravës, akuzohet se…

Lajme

06/04/2025 14:15

Gjykata e Apelit ka marrë vendim me të cilin e ka kthyer në rigjykim rastin ndaj Mentor Avdylajt, të cilin Gjykata Themelore në Prishtinë e kishte dënuar me 2 vite burgim dhe 1 mijë euro gjobë për marrje ryshfeti.

Në këtë rast, Avdylaj në cilësinë e oficerit të Shërbimit Korrektues në Burgun e Dubravës, akuzohet se kishte marrë 2 mijë euro ryshfet me qëllim të lirimit të parakohshëm të një personi nga burgu, që ishte në vuajtje të dënimit.

“Me aprovimin e ankesës së mbrojtëses së të akuzuarit Mentor Avdylaj, avokates Kosovare Kelmendi, anulohet aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda PKR.nr.337/18, i datës 18.04.2024, ashtu që çështja penale i kthehet gjykatës së shkallës së parë në rigjykim dhe rivendosje”, thuhet në vendimin e Apelit.

Në vendimin e Apelit të marrë më 16 janar 2025, thuhet se ndaj vendimit të Themelores, ankesë kishte parashtruar mbrojtësja e Avdylajt, avokatja Kosovare Kelmendi për shkak të shkeljeve esenciale të dispozitave të procedurës penale, vërtetimit të gabueshëm dhe jo të plotë të gjendjes faktike dhe shkeljes së Ligjit Penal.

Ajo kishte propozuar që i mbrojturi i saj të lirohet nga akuza apo lënda të kthehet në rigjykim.

Kurse, Prokuroria e Apelit përmes parasshtresës kishte kërkuar të refuzohet si e pabazuar ankesa e mbrojtjes dhe të vërtetohet aktgjykimi i Themelores.

Sipas gjetjeve të Apelit, vendimi i shkallës së parë ka shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale dhe aktgjykimi i ankimuar duhet të anulohet për arsye se Themelorja ka dështuar të paraqes në mënyrë të qartë dhe të plotë arsyet bindëse për dënimin e të akuzuarit.

Apeli konstaton se nuk janë paraqitur shkaqet dhe arsyet për çdo pikë të aktgjykimit, nuk janë paraqitur në mënyrë të qartë dhe të plotë faktet se për çfarë arsye janë marrë si të provuara apo të paprovuara duke mos dhënë vlerësimin e provave, ndërsa ato që janë dhënë nuk janë në pajtueshmëri të plotë me provat dhe shkresat e lëndës.

Sipas Apelit, nuk është e mjaftueshme vetëm përmbueshja e elementit të cilësisë së kryerësit të veprës penale, por duhet të arsyetohen faktet relevante të cilat përbëjnë elementet e veprës penale.

rrjedhimisht në rastin konkret Gjykata ka arsyetuar cilësinë e të akuzuarit se ishte Oficer i shërbimit Korrektues në Zyrën për Lirimin me Kusht në Qendrën e Shërbimit Korrektues në Dubravë, ndërsa nuk ka dhënë arsye mbi faktet relevante, të veprimit përkatësisht mosveprimit në pajtim me detyrën e tij zyrtare, e që konsiston në kufijtë e autorizimeve të detyrës zyrtare”, thuhet në vendim.

Shkalla e parë, sipas Apelit, nuk ka përshkruar faktet dhe rrethanat që përbëjnë veprën penale.

Gjithashtu, sipas vendimit të Apelit, aktgjykimi i shkallës së parë është kundërthënës në pjesën e arsyetimit, për faktin se aktgjykimi bazohet kryesisht në deklarata kontradiktore dhe të paqarta.

Kolegji i Apelit vlerësoi se aktgjykimi i shkallës së parë është përfshirë në shkeljet esenciale të dispozitave të procedurës penale, të cilat kanë ndikuar edhe në vërtetimin e gabuar dhe jo të drejtë të gjendjes faktike, e që të dy këto shkelje kanë ndikuar në shkeljen e Ligjit Penal, pasi që pa eliminimin e shkeljeve në fjalë nuk mund të bëhet vërtetimi i gjendjes faktike e as aplikim të drejtë të Ligjit Penal, për çka këtë aktgjykim e bëjnë juridikisht të paqëndrueshëm.

Shkalla e dytë i rekomandon Themelores që në rigjykim t’i eliminojë shkeljet esenciale të dispozitave të procedurës penale, të procedojë edhe njëherë me të gjitha provat dhe të bëjë vlerësimin e tyre, e sipas rrjedhës të nxjerrë edhe prova tjera të rëndësishme për vërtetimin e drejtë të gjendjes faktike.

“…sipas vlerësimit të saj gjykata edhe ta kërkojë dosjen për lirimin me kusht të dëshmitarit Sh.H nga Zyra për Lirimin me Kusht në QK në Dubravë, të jepen arsye edhe për faktet vendimtae dhe varësisht nga rezultati i vlerësimit të provave ta vlerëson se në veprimet e të akuzuarit a konsumohen elementet e veprës peneale apo të ndonjë vepre tjetër penale, të nxjerrë konkluzione të drejta dhe të ligjshme që vërtetojnë drejt gjendjen faktike, të gjitha këto në raport me parimin Reformatio in peius”, thuhet në vendim.

Ndryshe, më 18 mars 2024, Gjykata Themelore në Prishtinë, ka marrë aktgjykim dënues me të cilin ka dënuar të akuzuarin Mentor Avdylaj me 2 vjet burgim e 1 mijë euro gjobë.

Ndryshe, për ndihmë në kryerjen e veprës penale të marrjes së ryshfetit, akuzohej edhe Astrit Lajqi, i cili tani është në cilësi të dëshmitarit bashkëpunues.

Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 12 dhjetor 2018, ka ngritur aktakuzë ndaj Mentor Avdylajt për veprën penale “Marrje e ryshfetit” dhe Astrit Lajqit për ndihmë në kryerjen e veprës penale të marrjes së ryshfetit.

Sipas aktakuzës, Avdylaj më 12 mars 2018, në cilësinë e oficerit të Shërbimit Korrektues në zyrën për lirim me kusht në Qendrën e Shërbimit Korrektues në Dubravë, me dashje dhe në mënyrë të kundërligjshme, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore kishte pranuar ryshfet përmes të akuzuarit Lajqi, nga i dëmtuari B.H.

Në aktakuzë, thuhet se Avdylaj 2 mijë euro ryshfet i kishte pranuar nga Lajqi, në pikën e karburantit “Shala Petrol”, në hyrje të Pejës, me qëllim të lirimit të Shpejtim Hotit parakohshëm nga burgu, i cili ishte në vuajtje të dënimit në Qendrën Korrektuese në Dubravë.

Ndërsa, i akuzuari Lajqi thuhet se kishte marrë 2 mijë euro ryshfet nga B.H., në prani të dëshmitarit Sh.Q dhe ia kishte dërguar Avdylajt./BetimipërDrejtësi