ANP ‘Adem Jashari’ Limak Kosovo edhe me një çmim të ri

Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës po vazhdon të shënoj suksese në nivele ndërkombëtare. Krahas rritjes së vazhdueshme të numrit të udhëtarëve përgjatë gjithë vitit, ANP ‘Adem Jashari’ ka fituar edhe një çmim, duke ngritur numrin e çmimeve të fituara për këtë vit në gjashtë.

Lajme

29/09/2015 10:40

Mbrëmë, në gala mbrëmjen e organizuar në qytetin e Johannesburg-ut në Afrikën Jugore  Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës, i është ndarë çmimi Corporate Responsibility- Inhouse (Çmimi për Përgjegjësi Korporative) nga “IPRA Golden World Awards for Excellence”. Është njëri ndër çmimet më prestigjioze në botë.

“IPRA Golden World Awards for Excellence” me eksperiencë 60 vjeqare e njohur nga Kombet e Bashkuara (United Nations), bën çdo vit nominimin pastaj përzgjedhjen e kompanive të nominuara për programet e kategorive të ndryshme dhe pas shqyrtimit nga juria profesionale përcaktohet fituesi duke u bazuar në objektivat, strategjitë dhe rezultatet e demonstruara nga kompanitë pjesëmarrëse. Përmes rrjetit të saj IPRA përfaqëson 8000 profesionistë komunikimi në tërë botën. Ky çmim u jepet kompanive që me projektet e tyre ndikojnë pozitivisht në mirëqenien dhe zhvillimin e shoqërisë.

Në këtë konkurencë, çmime kanë fituar edhe kompanitë e mirënjohura botërore nga shtetet si Amerika, Gjermania, Spanja, Emiratet e Bashkuara Arabe, Brazili, Turqia, Anglia, Zelanda e Re, Argjentina, Japonia, Afrika e Jugut, Suedia, Kina, Bermuda, Polonia, Australia, Rusia etj.