Anëtarja e partisë tani zyrtare tek Faton Peci-Nga Ministria bëjnë “hajgare” thonë se Kushtetuta ia mundëson secilit të drejtën të zgjedhë e të zgjidhet

Edhe pse dikur thirreshin në punësime të rregullta e në luftim të nepotizmit, këto gjëra ranë në harresën e Qeverisë së Kosovës të drejtuar nga Lëvizja Vetëvendosje. Madje fushata e zgjedhjeve të vitit 2021 rezultoi e suksesshme për Qeverinë e sotme, pasi cep më cep të Kosovës u premtua “korrektësi dhe jo nepotizëm e korrupsion…

Lajme

24/10/2024 13:06

Edhe pse dikur thirreshin në punësime të rregullta e në luftim të nepotizmit, këto gjëra ranë në harresën e Qeverisë së Kosovës të drejtuar nga Lëvizja Vetëvendosje.

Madje fushata e zgjedhjeve të vitit 2021 rezultoi e suksesshme për Qeverinë e sotme, pasi cep më cep të Kosovës u premtua “korrektësi dhe jo nepotizëm e korrupsion për punësime në institucionet e Kosovës”.

Zgjedhjet i fituan, karriget qeveritare po ashtu por premtimet nuk duket se i mbajtën.

Në vazhdën e punësimeve nëpër drejtori, ministri, drejtues institucionesh, ndërmarrjesh e gjithku tjetër në poste shtetërore zhurmë të madhe së fundi po bën edhe ministri i Bujqësisë, Faton Peci.

Anipse shpesh herë di të shtiret si i habitur, e sikur s’është informuar për punësime, shpesh herë po kujdeset edhe personalisht që t’i rehatoj njerëzit e vetë.

Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci së fundmi raportohet ta ketë “rehatuar” në punë edhe asistenten e tij Bleona Krasniqi si zyrtare për informim në po të njëjtën Ministri.

Ajo përveç se asistente e Faton Pecit, ishte edhe anëtare e kryesisë së partisë se tij, Listën Guxo e cila arriti të bëhet parti e “rëndësishme” institucionale vetëm pas koalicionit me Lëvizjen Vetëvendosje. Bleona Krasniqi ishte anëtare e kryesisë së Listës Guxo, e si e tillë u pranua në punë si kandidatja me gjithsej 89.6 pikë e që sipas komisionit vlerësues kishte më së shumti pikë të grumbulluara.

Dëshmi për pozitat e saj paraprake dhe pranimin në punë:

 

Lajmi.net ka kontaktuar drejtpërdrejtë me Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rajonal të cilët kanë vendosur të mos japin detaje në lidhje me këtë punësim.

Përmes email-it, ata as nuk e kanë pohuar e as mohuar punësimin e tashmë koleges së tyre, shkruan lajmi.net.

Të njëjtit janë munduar që të tregohen të ligjshëm, e të shtiren sikur flasin mbi Kushtetutën derisa hapur po shkelin ligjin për punësime partiake.

“Kushtetuta e Republikës së Kosovës ia mundëson secilit ta gëzojë të drejtën të zgjedhë dhe të zgjidhet. Askush nuk duhet të diskriminohet as pozitivisht e as negativisht në këtë aspekt. E kushdo që është zgjedhur, i urojmë suksese dhe punë të mbarë”, thuhet në përgjigjen e MBPZHR-së. 

Bleona Krasniqi nuk është e vetmja “e njohur” e ministrit Peci në institucionet e Kosovës saktësisht në ministrinë që drejtohet nga ky i fundit.

Motra e zëvendësministrit të Punëve të Brendshme, Blerim Gashanit është e punësuar në Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural për të cilën ministri Peci në një debat të drejtpërdrejtë u bë se nuk e dinte.

Ministri Faton Peci në T7, fillimisht u pyet nëse ka ndonjë familjar të Gashanit të punësuar në ministrinë që ai e udhëheq.

“Nuk e di”, ishte përgjigja e Pecit, por vetë Gashani e pranoi.

“Po, është në vitin 2022, motra ime ka hyrë në projekt, jo direkt. Por, me projekt”, ka thënë Gashani.

Gashani e pohoi dhe shtoi se motra e tij “nuk është duke shkuar fshehur në punë”.

Pastaj ministri Peci shtroi pyetjen se a është pranuar motra e Gashanit përmes konkursit publik.

“A është konkursi publik?”, tha ai.

“Jo për besë unë nuk e kam ditë, unë nuk e kam ditë”, tha Peci e pastaj e pyeti Gashanin se çfarë mbiemri ka motra e tij.

“Berisha”, u përgjigj Gashani.

“E okej, për qata më ka ikë, nuk e pasna ditë”, tha Peci, teksa Gashani ia aprovon fjalët duke thënë “absolutisht”.

Ky ishte debati mes ministrit Peci, zëvendësministrit Gashani dhe ish kryeinspektorit të AKI-së, Burim Ramadani i cili e shtroi pyetjen.

Numri i familjarëve e miqve të zyrtarëve qeveritar në institucione shtetërore është i madh, por ato gjithmonë me arsyen e “aftësive” dhe “pikëve në testet pranuese”.

Kjo teori që dikur gjykohej shumë nga Lëvizja Vetëvendosje e bashkëpunëtorët e tyre, tani ka marrë hovin e madh të punësimeve. Rrallë kush tashmë punësohet sepse e meriton, pasi më e lehtë është të punësohesh me porosi./Lajmi.net/