​Anëtarësimi në KiE, ministrja Gërvalla takon kryesuesin e Grupit të Partive Popullore

Në kuadër të takimeve në Këshillin e Evropës në Strasburg, shefja e diplomacisë kosovare Donika Gërvalla ka takuar deputetin kroat, kryesuesin e grupit të partive popullore në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Davor Ivo Stier. Gërvalla me këtë rast ka shprehur mirënjohjen e saj për kontributin e madh të grupit të partive popullore, përkatësisht…

Lajme

27/06/2024 17:38

Në kuadër të takimeve në Këshillin e Evropës në Strasburg, shefja e diplomacisë kosovare Donika Gërvalla ka takuar deputetin kroat, kryesuesin e grupit të partive popullore në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Davor Ivo Stier.

Gërvalla me këtë rast ka shprehur mirënjohjen e saj për kontributin e madh të grupit të partive popullore, përkatësisht delegacionit kroat në mbështetjen në anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.

“Mbështetja e palëkundur e Stier dhe delegacionit kroat ka qenë vendimtare në arritjen e një shumicë të jashtëzakonshme prej 82% të votave në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës,” tha Gërvalla.

Ministrja Gërvalla gjithashtu theksoi rëndësinë e bashkëpunimit të vazhdueshëm me grupet politike dhe Komitetin e Ministrave për finalizimin e procesit të anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.

Kosova mbeti gjashtë agjendës në takimin e Këshillit të Ministrave më 17 maj 2024 pasi një pjesë e vendeve anëtare të Këshillit të Evropës kërkuan që Kosova të hedhë hapa drejt themelimit të asociacionit.

Megjithëse KiE e la Kosovën jashtë agjendës, presidentja Vjosa Osmani pati deklaruar se anëtarësimi në këtë organizatë është çështje kohe.

“Në këtë rrugë, ne nuk bëjmë kompromis me vlerat të cilat formojnë themelet e vendit tonë”, kishte shkruar Osmani në X.

Kosova u la jashtë Këshillit të Evropës, për faktin që qeveria e Kosovës nuk e dërgoi për shqyrtim në Kushtetuese një draft statut të BE-së për themelimin e asociacionit.

Një letër zotimi Kosova e dërgoi një ditë më herët në KiE, ku thuhej se Kosova do ta hartojë deri në fund të muajit maj një draft-statut për asociacionin, por kjo nuk gjeti mbështetje nga mekanizmat ndërkombëtarë.

Kosova ka një vit ka aplikuar për anëtarësim në KiE. Më 16 prill 2024, Asambleja Parlamentare e KiE mbështeti raportin e Dora Bakoyannis, që rekomandon anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë. Por, vendet kryesore evropiane e kushtëzuan votimin me themelimin të asociacionit për të cilin Gjykata Kushtetuese në vitin 2015 konsideroi se nuk është në harmoni me Kushtetutën e Kosovës.