Andin Hoti: Qytetarët e Kosovës do të mund t’i marrin pensionet në Kosovë edhe nëse kanë punuar në Austri
Qytetarët e Kosovës që kanë punuar në Austri dhe Turqi pritet të përfitojnë nga marrëveshjet për njohjen e ndërsjellë të kontributeve të sigurimeve sociale, të cilat synojnë t’ua lehtësojnë realizimin e të drejtave pensionale. Qeveria e Kosovës, në mbledhjen e mbajtur të mërkurën, ka miratuar dy propozim-vendime përmes të cilave kërkon autorizimin e presidentes për…
Lajme
Qytetarët e Kosovës që kanë punuar në Austri dhe Turqi pritet të përfitojnë nga marrëveshjet për njohjen e ndërsjellë të kontributeve të sigurimeve sociale, të cilat synojnë t’ua lehtësojnë realizimin e të drejtave pensionale.
Qeveria e Kosovës, në mbledhjen e mbajtur të mërkurën, ka miratuar dy propozim-vendime përmes të cilave kërkon autorizimin e presidentes për nënshkrimin e marrëveshjeve në fushën e sigurimeve sociale me këto dy shtete, raporton lajmi.net
Marrëveshjet pritet të nënshkruhen nga ministri i Punës, Andin Hoti, dhe synojnë të krijojnë bazën ligjore për njohjen e kontributeve pensionale të qytetarëve që kanë punuar në Kosovë, Austri dhe Turqi.
“Qëllimi i marrëveshjes është krijimi i një baze të re ligjore për të rregulluar marrëdhëniet në fushën e sigurmeve sociale, e cila u siguron qytetarëve të të dyja vendeve njohjen e ndërsjelltë të kontributeve të sigurimeve sociale për përfitimin e pensioneve”.
Hoti ka theksuar se marrëveshjet do t’u mundësojnë qytetarëve që kanë punuar në këto shtete t’i realizojnë të drejtat e tyre pensionale edhe në vendin ku jetojnë.
“Qytetarëve që kanë punuar për një kohë të gjatë në Republikën e Austrisë, do të kenë të drejtë të marrin pensionet në Kosovë dhe anasjelltas kudo që ata jetojnë. Gjithashtu, qytetarëve të Kosovës do t’u njihet e drejta për t’i bashkuar periudhat e kontributeve për të realizuar pensionet”, tha Hoti.
Përmes këtyre marrëveshjeve synohet që periudhat e kontributeve të paguara në shtetet përkatëse të merren parasysh për realizimin e të drejtave pensionale, sipas kushteve që do të përcaktohen në marrëveshjet përkatëse./Lajmi.net/